
Sot, më 2 tetor, pritet të marrë fund bllokimi i dy pikave kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, të cilat lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Sipas mediave kosovare, që në orët e para të mëngjesit të sotëm, KFOR-i ka nisur vendosjen atje, ndërsa kanë publikuar momentet nga aksioni në fjalë.
Këto pika kufitare u bllokuan që prej 20 shtatorit, pas vendosjes së masës së reciprocitetit për targat nga ana e Kosovës.
Për mënyrën se si do të bëhet zhbllokimi i këtyre vendkalimeve kufitare, ka folur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.
Sipas Bislimit, në këto pika do të vendosen fillimisht forcat e KFOR-it dhe pastaj në orën 08:00 pritet të fillojë edhe zhvendosja e barrikadës dhe e policisë speciale dhe të përfundojë jo më larg se në orën 16:00.
Sipas tij, Kosova është e përgatitur për zbatimin e kësaj marrëveshje.
Të dy palët janë pajtuar në pikat e mëposhtme:
1. Njësitet speciale të Policisë, që për momentin janë të vendosura në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, do të largohen bashkë me bllokadat në rrugë, duke nisur nga data 2 tetor, 2021 në orën 8:00, deri jo më vonë se në orën 16:00. KFOR-i do të vendoset në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, para fillimit të largimit të bllokadave dhe do të qëndrojë mesatarisht dy javë, që të ofrojë mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes.
2.Më 4 tetor, në orën 8:00, do të fillojë vendosja e etiketave ngjitëse, sipas dakordimeve në kornizat e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme.
3.Një Grup Punues – i përbërë nga përfaqësuesit e BE-së, palët e Prishtinës dhe Beogradit dhe e kryesuar nga BE-së – do të krijohet, për të gjetur një zgjidhje të përhershme për targat e automjeteve, të bazuar në praktikat dhe standardet e BE-së. Takimi i parë i Grupit Punues do të mbahet më 21 tetor, 2021, në Bruksel. Gjashtë muaj pas mbledhjes së parë, Grupi Punues do t’i prezantojë formatit të lartë i dialogut të arriturat e tij për një zgjidhje të përhershme.



