
Ndryshimet e ligjit për kriminalitetin e kanë çliruar sistemin penitenciar të Rusisë nga qindra mijëra të burgosur. Rënia e numrit total të të burgosurve ka bërë që të mbyllen 93 burgje.
“Për shkak të ndryshimeve në politikat shtetërore lidhur me krimin, numri i të burgosurve në institucione të ndryshme penale në vendin tonë ka rënë me më shumë se 200 000 që nga viti 2000 dhe sot ka arritur në 484 000", është shprehur zëvendësministri i Drejtësisë, Valeri Maksimenko.
Reduktimi i numrit të të burgosurve u pasua me mbylljen e burgjeve të zonave të thella dhe rënien e numrit të oficerëve të administratës së burgjeve.
Shërbimi Federal për Ekzekutimin e Dënimit pranë Ministrisë së Drejtësisë ka ndryshuar regjimin e 48 institucioneve penale, duke u mundësuar qytetarëve të dënuar që të vuajnë dënimet e tyre në burgje pranë vendbanimeve të tyre.
Sistemi i burgjeve ruse është përballur me kritika nga aktivistët e të drejtave civile dhe politikanët, pasi gjatë muajit të kaluar në media u raportua për trajtimin mizor që u bëhej të burgosurve në një prej tyre. Video të publikuara shfaqnin zyrtarë të administratës teksa dhunonin dhe torturonin të burgosurit.



