Kreu i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, në interpelancë me ministrin e Drejtësisë Besfort Lamallari, deklaroi se “qeveria-bandë”, që rrëmbimin e kundërshtarëve politikë, të qytetarëve dhe biznesmenëve të ndershëm e ka kthyer në manual pune, sot është dita të japë llogari lidhur me kushtet me të cilat po mbahet në paraburgim ish-Presidenti Ilir Meta.
Ai deklaroi se prej 3 muajsh, Avokati i Popullit ka lënë mbi tavolinë 9 rekomandime të detyrueshme për zbatim, në lidhje me dhënien fund të trajtimit kriminal dhe çnjerëzor të ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta.
E rrëmbyet në mënyrë mafioze në 21 tetor 2024 dhe e mbani në izolim ekstrem prej më shumë se 15 muaj, pa asnjë fakt dhe pa asnjë provë penale, me zero pasuri të paligjshme të sekuestruar dhe me zero qindarkë dëm financave publike. Standardet e rrëmbimit, janë jo vetëm standardet e hetimit, por edhe të paraburgimit, siç i ka evidentuar edhe Avokati i Popullit. Kufizimi i takimeve të zotit Meta në vetëm 4 të tilla në muaj, kur ligji parashikon ndryshe, përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe KEDNJ.
Ndalimi i takimeve me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe eurodeputë, e fundit pak ditë më parë, është në kundërshtim flagrant me ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Kufizimi i telefonatave të Z. Meta është thellësisht antiligjor. Ka mbi një vit që numri im i regjistruar në mënyrë të ligjshme pranë IEPV “Jordan Misja” nuk mund të kontaktohet dot prej tij. Sikundër u keni hequr, të gjithë deputetëve të Partisë së Lirisë, të drejtën për të folur lirshëm me Z. Meta. Mohimi i lirisë së fjalës dhe e drejta e tij për të komunikuar me median është një tjetër shkelje shumë e rëndë e ligjit, e Kushtetutës dhe KEDNJ.
Ilir Meta, i izoluar në ekstrem në burg, është privuar nga e drejta jo vetëm për t’u takuar me drejtuesit, anëtarët e simpatizantët e tij dhe të Partisë së Lirisë, por edhe për të komunikuar lirshëm me mediat, siç ju rekomandon edhe Avokati i Popullit. Me urdhër të Edi Ramës, atij i është ndaluar liria e fjalës dhe është ndëshkuar dy herë vetëm pse arriti të komunikonte në mënyrë indirekte me gazetarët. Keqtrajtimi në qeli është alarm, jo vetëm për Ilir Metën, por për çdo qytetar.
Sipas tij, beteja për lirinë e Ilir Metës është një betejë për liritë e të drejtat themelore dhe dinjitetin njerëzor të çdo qytetari shqiptar, për respektimin e KEDNJ, të Kushtetutës e ligjit.
Blushi kërkoi nga Lamappari përgjigje të qartë, llogari të drejtpërdrejtë dhe masat konkrete për t’i dhënë fund këtij krimi shtetëror.
Në replikë ndaj tij, ministri Lamallari u shpreh se është njohur me raportin e Avokatit të Popullit dhe ai raport është nën hetim.
Nuk ka persekutim politik, pretendimet janë të pabazuara dhe nuk kemi një cenim të shprehjes ku kemi një balancë. Raporti i Avokatit të Popullit në asnjë moment nuk përdor terminologjinë trajtim degradues dhe çnjerëzor. Rekomandimet e raportit janë në proces shqyrtimi dhe po analizohen nga strukturat përgjegjëse të burgjeve, sipas afateve.
Është kërkuar informacion nga IEVP Jordan Misja. Procesi është substancial dhe synon përmirësimin sistemik, në tërësi, në çdo IEVEP. Nuk ka një hetim administrative ndaj personelit të IEVP “Jordan Misja”. Në rekomandimet e Avokatit të Popullit nuk konstatohen shkelje administrative, prandaj s’mund të kërkojmë përgjegjësi disiplinore. Kur nuk mund të flitet për përgjegjësi administrative, s’mund të flitet për përgjegjësi penale.



