Gazetari Klodian Tomorri foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi gjetjet e auditimit të KLSH-së dhe borxhet e OSHEE-së. Gazetari vë në dukje se fakti që borxhet e OSHEE janë 139 miliardë lekë tregon sa i rrënuar është financiarisht sistemi energjetik në Shqipëri. Tomorri shton se kjo është e lidhur drejtpërdrejt me meanxhimin që i është bërë kompanisë.
Lidhur me fotovoltaikët Tomorri thekson se raporti i KLSH i mëshon alternativës së parë, se fotovoltaikët janë ndërtuar me kapacitet më të madh se leja.
“Pjesa që lidhet me prodhimin e fotovoltaikëve më tepër se kapaciteti i deklaruar, ka dy shpjegime, e para supozojmë është marrë leja për të ndërtuar një central me fuqi të instaluar 2 mega vat, por në ndërkohë është bërë shumë më i madh se aq, është bërë 3 mega vat, 4 mega vat. Kjo sigurisht është në shkelje të ligjit, pasi nëse jepet leja për 2 mega ka një logjikë pse jepet për aq, sepse kufizon dëmet në mjedis. Nëse jepet leja për një pallat 5 kate dhe përfundon për 15 kate, sigurisht që ka një vepër penale. Arsyeja e dytë pse ndodh është fakti se është faturuar sasi energjie fiktive. Ne s’e dimë, as KLSH s’ka mundur ta provojë një gjë të tillë. KLSH në raport i mëshon alternativës së parë, që fotovoltaikët janë ndërtuar në shkelje të lejes, me kapacitet më të madh.
Kjo është një çështje që meriton investigim të mëtejshëm. Këtu është Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës që ka dhënë leje për këto vepra dhe duhet t’i mbikëqyrë. Duhet te marrë masa dhe të vendose penalitete ndaj subjekteve që i kanë shkelur ato. Janë histori të zakonshme, garat fiktive në prokurimet publike, vendosja e kritereve fiktive për të kufizuar konkurrencën. Ka edhe gjetje të asaj që janë paguar kompani private për punime të pakryera. Nëse një kompani ka marrë një tender nga OSHEE ka futur edhe punime që s’janë kryer në terren. Ky ishte një raport jo shumë i thelluar, duke marrë parasysh gamën e problemeve që ka sektori energjetik në Shqipëri. Edhe pse janë investuar para duket sikur s’ka një rinovim të rrjetit. S’ka një ulje të humbjeve teknike, që vijnë për shkak të rrjetit të amortizuar. S’ka një ulje në proporcion me paratë që janë shpenzuar”, tha Tomorri.
“Fakti që borxhet e OSHEE janë 139 miliardë lekë ose 1,3 miliardë euro, tregon sa i rrënuar është financiarisht sistemi energjetik në Shqipëri, si është i zhytur në një zinxhir të ndërsjellë borxhesh mes kompanive publike, por edhe mes tyre dhe subjekteve të tjera private, apo bankave, apo qeverisë. Kjo tregon që të paktin planin financiar, sektori energjetik jo vetëm s’është shëndoshur financiarisht, por ka bërë edhe hapa mbrapa. Është shumë të kesh një kompani publike me 1,3 miliardë euro borxhe të papaguara dhe që vazhdon të jetë me kapital negativ. Që do të thotë që vlera reale e kompanisë në treg është negative, nuk vlen asnjë lekë. Sigurisht që kjo është e lidhur drejtpërdrejt me meanxhimin që i është bërë kompanisë. Është e lidhur me dështimin apo paaftësinë e kompanisë për t’i ulur humbjet në rrjet, më shpejt se sa janë ulur”, shtoi gazetari.



