
Deputetja e PS Pranvera Resulaj duke folur në MCN Live mbi 1 Majin tha se janë bërë shumë përmirësime në të drejtat e punëtorëve, por ka ende për t’u bërë. Ajo theksoi se sot kemi më pak punonjës të padeklaruar dhe po kalohet në formalizimin e pagës reale. Resulaj tha se nga konsultimet me profesionistë dhe juristë, është hasur nevoja për përmirësim të Kodit të Punës. Megjithatë ajo shton se marrëdhëniet punëdhënës-punëmarrës janë përmirësuar si kontekstin ligjor, ashtu edhe atë njerëzor.
1 maji ka lindur si një ditë protestash dhe është dita kur punëtorët duhet të kërkojnë të drejtat e tyre. Përkujtohet në formën e një feste dhe bëhet shumë mirë, por është mirë të kujtohen të drejtat. Mbi punëmarrësin dhe punëdhënësin ka shumë përmirësime, por mbetet për t’u bërë për Kodin e Punës. Ka gjithmonë pretendime apo argumente nga punëmarrësit sa i përket kohëzgjatjes së punës, pagesat për orët jashtë orarit, ditët e pushimit. Ndoshta kemi hasur shpesh nevojën për përmirësim të Kodit të Punës, e kam ndeshur edhe nga profesionistë, juristë, që kanë njohuri në këtë proces. Por janë përmirësuar ndjeshëm këto marrëdhënie si kontekstin ligjor, ashtu edhe atë njerëzor.
Po ngrihet si opinion që për shkak të largimeve kemi një trajtim më të mirë të punonjësve. Nëse kemi një kërkesë më të rritur dhe ofertë më të vogël, punëdhënësit janë më të predispozuar të krijojnë kushte më të mira pune. Por unë mendoj se ky proces nuk po vjen në pjesën më të madhe nga largimet. Kemi pasur një problem që ka shoqëruar ndër vite sipërmarrjen, që ka pasur nëndeklarime. Produktiviteti i punës ka qenë më i lartë dhe paga më e ulët. Sot kemi shumë pak punonjës të padeklaruar. Është kaluar në formalizimin e pagës reale. Kryeministri ka ndikuar, pavarësisht se paga vendoset në tregun e punës. Për shkak të këtij deformimi për shkak të nëndeklarimit, është dashur që vet kryeministri të ndërhyjë për të çuar deklarimin e pagës në atë që është realitet. Edhe sipërmarrja ka bërë pjesën e saj pozitive dhe i është përgjigjur, jo një thirrje të kryeministrit dhe një fushatë formalizimi, por një procesi që ka nisur prej 2015-ës dhe vazhdon akoma të ketë nevojë për një shtytje, edhe për përmirësime ligjore, ndryshime fiskale. Qëllimi kryesor ka qenë të vetdeklarohen dhe të vetkorrigjohen. Thirrja e kryeministrit ka pikërisht këtë qëllim, të nxisë sipërmarrjen të shkojë drejt vetkorrigjimit.
E pyetur nëse ka një kolaps për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, Resulaj tha:
Bujqësia dhe shërbimet turistike kanë ndjerë më së tepërmi mungesën e krahut të punës. Janë sektorë që kanë nevojë për të gjitha nivelet, nga punonjësit e pakualifikuar dhe specialistëve. Ka një tendencë për largime, kjo mendoj që ndodh në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ka një statistikë që tregon se Shqipëria ka një prirje më të lartë se fqinjët tanë, por kjo mund të lidhet me disa faktorë, jo me faktin që në Shqipëri kushtet janë më të këqija”.
Resulaj tha se fitorja e PS në Vlorë është e sigurt, por kjo s’e bën mazhorancën të vetkënaqur. Ajo shtoi se deklarata e Ramës për kandidatët është nxjerrë nga konteksti, pasi ai nuk thotë që do të mungojë bashkëpunimi institucional dhe ligjor, por që mungon bashkëpunimi njerëzor, nga vetë kryebashkiakët e opozitës.
Jemi në numërimin mbrapsht drejt 14 majit. Vlora është një qytet mirëfilli i investuar, i zhvilluar. Shikohet ndryshe nga të tjerët për shkak të peshës në histori dhe përbërje. Ka një qasje të majtë, kjo është e njohur. PS ka gjithpërfshirje te qytetarët. Kemi një fitore të sigurt të kandidatit tonë, por kjo s’na bën asnjëherë të vetkënaqur. Për shkak të qasjes shumë të majtë, tendencës historike të qytetit, por edhe për shkak të investimeve që kjo mazhorancë ka bërë në Vlorë, është e prekshme te qytetarët. Kjo na bën besimplotë, edhe sondazhe kemi. Edhe kur s’kemi kundërshtar e shpikim atë mesveti për të qenë të denjë për votën e qytetarit vlonjat. Kandidati ynë do shkojë në zyrën e kryetarit të bashkisë, për një mesazh për Vlorën e re, dinamike dhe të gjallë, që do ketë në vitet që vijnë një zhvillim të turizmit, ku synojmë të jetë konkurruese në Ballkan e më gjerë.
Fakti që kandidati ynë Ermal Dredha ka gjetur mbështetje dhe mirëpranim te qytetarët e Vlorës, tregon që ka qenë përzgjedhja e duhur. Ka qenë një përzgjedhje mes shumë emrash, ku është diskutuar, ka kaluar në sondazhe. Është votuar në Asamblenë e bashkisë Vlorë dhe ka fituar me shumicë të ndjeshme. Pse është zgjedhur, s’di të them një përgjigje të saktë, por duke qenë se jemi në zgjedhje lokale, ku jo domosdoshmërisht duhet të jetë pjesë e strukturave të PS. Vizioni ka qenë që kandidati të jetë përfaqësues i gjithë qytetarëve të Vlorës. Bashkia do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve. Vlora e të ardhmes do ketë shumëfishim të popullsisë, edhe për shkak të flukseve turistike që priten.
Kryeministri s’është shprehur që s’do ketë investime. Këto janë strategjitë politike dhe gjuha që përdor çdo lider. Është e drejta e opozitës ta nxjerrë nga konteksti, ta keqpërdorë. Kryebashkiakët opozitar s’kanë dashur të bashkëpunojë me mazhorancën. Bashkëpunimi institucional dhe ligjor mbetet aty, pro bashkëpunimi njerëzor, s’është shmangur nga ana e mazhorancës, por nga vet kryebashkiakët e opozitës. S’i kanë munguar investimet Vlorës për shkak të marrëdhënies së kryeministrit Rama me kryebashkiakun Leli. Kandidati Dredha ka nxjerrë një program që bazohet në 7 shtylla, ku një nga kryesoret është infrastruktura dhe zhvillimi lokal. Kandidati merr filozofinë e mazhorancës dhe e përkthen në terma të punëve konkrete. Kundërshtarin e shohim ashtu siç ai sheh vetveten, si të dobët, por kjo s’na bën euforik që ta marrim lehtësisht këtë fushatë”.



