
Futja e disa produkteve farmaceutike në mënyrë ilegale nga ana e Serbisë ka sjellë reagimin e ministres në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës Meliza Haradinaj Stublla. Kjo e fundit e ka cilësuar këtë akt si “shkelje flagrante të Marrëveshjes për Vulat Doganore dhe asaj për Njohjen Reciproke të Certifikatave Farmaceutike”.
Stublla i referohet një marrëveshje të arritur mes dy vendeve në 2015 në kuadër të dialogut teknik.
“Serbia dhe zyrtarë të lartë të saj, me veprimet e muajve të fundit, si dhe me shkeljet e vazhdueshme, kanë rrezikuar sigurinë shtetërore të Kosovës dhe, rrjedhimisht, kanë nëpërkëmbur gjithë procesin dhe të arriturat e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si në Uashington, ashtu edhe në Bruksel”, tha Haradinaj Stublla në një postim në Facebook.
Reagimi vjen pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të premten se në veri të Kosovës ka filluar vaksinimi kundër koronavirusit, me vaksinën e kompanive Pfizer/BioNTech, e cila ka arritur në Serbi para disa ditësh.



