
Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta u paraqit në SPAK ku dëshmoi për çështjen CEZ-DIA. Duke folur mbi këtë çështje avokati Romeo Kara tha se provat në dosjen e SPAK janë të vërtetuara. I pyetur se si kanë kaluar paratë te Meta, Kara solli në vëmendje deklaratën e Elvis Matës, i cili tha se i janë çuar 200 mijë euro me çantë. Ndër të tjera Kara ngriti dyshime se në aferë ka qenë i përfshirë edhe i ndjeri Dritan Prifti. Ai tha se Kastriot Ismailajt duhet t’i sigurojnë jetën dhe më pas ta marrin në pyetje. “Duke parë që Berisha u puq me Metën Ismailaj ka vendosur të mbyllë gojën”, tha ai.
Në 18 tetor të vitit 2017 kam bërë një kallëzim të hollësishëm, me emra, që kryesohet nga Meta, pasohet nga Berisha, vazhdon me Ismailajn, me Martin Roman, ish-figurën nr. 1 të CEZ group në Pragë, zëvendësin e tij Tomas Peskas, Jozef Hejsek që ka qenë drejtues i CEZ Shpërndarje në Shqipëri dhe Bujar Nepravishta, ish-kryetar i ERE-s. Këto janë 7 personat. PS s’ka bërë kurrë një kallëzim të tillë. Kallëzimi i vetëm i PS ka të bëjë me privatizimin e CEZ-it. Nuk po flasim për privatizimin. Është në gjykim në rekurs, ta lëmë gjykatën të vazhdojë. Në krahun tjetër, në 2009 kemi një ndryshim të pushtetit, ku PD është në koalicion me LSI, që i jepet në menaxhim edhe Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës, etj. Përgjatë kësaj kohe faktohet me dëshmi, këto janë dokumentar, me dëshmi nga vet drejtuesi i CEZ Shpërndarje, në 2014-ën, dhe ai ka faktuar që ne këtë person na i ka sjellë në emër të Ilir Metës dhe Sali Berishës, na i ka sjellë Qazim Tepshi, ambasadori i atëhershëm i Shqipërisë në Çeki, që ishte emëruar nga Meta dhe ishte njeri i LSI. Edhe vetë Qazim Tepshit i ishte premtuar 12 për qind në këtë aferë, pasi kjo është një aferë që nis me një offshore. Dihet që ofsshore-t janë për t’u fshehur përfituesit e vërtetë dhe lojtarët që luajnë në emër të përfituesve, edhe konfliktet e interesi, korrupsioni.
Në 2010 konkludohet në një draft-kontratë, se nuk ishte miratuar ende nga dy bordet drejtuese të CEZ në Shqipëri dhe Pragë. Kontrata ishte për mbledhjen e borxheve që ka pasur Operatori i Shpërndarjes së Energjisë, nga viti 2007, dhe ishin rreth 230 milionë euro, që së bashku me interesat shkonin 460 milionë euro. 50 për qind e tyre do t’i kalonin DIA-s, një shumë e paimagjinueshme. Duke qenë mbi 90 ditë borxhe, do prodhoheshin përgjatë rrugës borxhe të tjera dhe mund të shkonte për pak vite në 1 miliardë, 2 miliardë për pak vite. Kemi një largim të Dritan Priftit këtë kohë. Kam dyshime të forta që Prifti ka qenë i përzierë në këtë aferë, pasi ka pasur kontradikta me Ismailajn më pas. E ka vënë në raporte shumë të vështira me një ish-deputet të qarkut të Shkodrës, ku Dritan Prifti pretendoi se ia kalonte atij atë pjesë që i takonte nga ky biznes me DIA-n, që s'ka qenë biznes i ligjshëm.
Kemi zbuluar që në 15 shtator të 2010-ës, Ismailaj edhe pse kishte hyrë në kontratë me CEZ-in, figuronte nga METE si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës, kjo shkel nenin 13 që flet për konflikt interesi. Nuk mund të lidhësh kontratë me kompaninë që je në bord, ku më tepër ky përfaqësonte shtetin shqiptar. Nuk miratohet kjo draftë-kontratë nga bordet fillimisht deri në nëntor të vitit 2010, dhe kemi tre pagesa që shkojnë 1 milionë e 485 mijë euro për një punë që s’është kryer edhe sot. Bëhen me urgjencë në fundjavë dhe bëhen dy tre ditë para se Ilir Meta të shkojë për vizitë me Ismailajn në Pragë, ku është pritur nga Qazim Tepshi. I është sajuar një aksident Qazim Tepshit, që mos jetë i pranishëm në takim. Meta ka qenë atë kohë ministër i METE-s. Korrespondon me një intervistë që ka dhënë Dritan Prifti atëkohë në TCH. Korrespondon edhe me goditjen që Berisha ia ka thënë Metës në Parlament në 2015-ën, që ke vajtur i paautorizuar si ministër i Jashtëm. Bëhet pagesa, bindet Meta të shkojë në Pragë. Direkt pas ardhjes nga Praga, mblidhet ERE dhe ul çmimin e energjisë. Dëmi shkon mbi 30 milionë euro.
Vetë Elvis Mata ka thënë që me çantën time i janë çuar 200 mijë euro. E ka deklaruar me firmë edhe në Arbitrazh, edhe në Prokurori. Unë i kam afruar si prova këto. Nga 2019-ta që ka kaluar kjo dosje në SPAK, di që ka pasur zhvillime dhe ka pasur herë pas herë vërtetime të provave. Jam i bindur që tre pikat që plotësojnë një hetim, mbledhja e provave, vërtetimi i tyre, dhe provat që të çojnë në fakte, dhe faktet i kemi, do çojnë në një të vërtetë të pamohueshme që do plotësojnë dosjen për të shkuar në gjykatë. Deri tani e kemi si person që deklaron, dhe jo nën akuzë”.



