
Analisti Lavdim Hamiti foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi vizitën në Kosovë të Këshilltarit të DASH Derek Chollet, dhe dialogun mes Prishtinës e Beogradit.
Sipas Hamitit në takimin me Kurtin dhe Osmanin pritet të hapen letrat e rënda. Ai thekson se Kosovës do t’i kërkohet pranimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa Serbisë do t’i bëhet presion për pranimin e paktit franko-gjerman. Ndër të tjera Hamiti shprehet se në muajit e fundit s’kemi parë koordinimin e duhur mes Kosovës dhe Amerikës.
Përpjekjet e palës amerikane janë që të shtrohet rruga për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë. Në këtë takim me Presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurtin do hapen letrat për temat e rënda, ku përfshihet Asociacioni. Me palën serbe do diskutojë për planin franko-gjerman. Palës kosovare i intereson që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje me Serbinë. Nga ana tjetër palës serbe dhe ruse i intereson një status quo. Para tyre do kenë planin gjerman, ku padyshim do përfshihet edhe Asociacioni që e ka refuzuar Kurti. Vuçiçit presioni do t’i bëhet që të pranohet plani franko-gjerman që ka edhe mbështetjen amerikane. Kushtëzimi për palën kosovare do jetë Asociacioni për komunat me shumicë serbe.
Muajit e fundit s’kemi parë një koordinim të duhur mes palëve kosovare dhe asaj amerikane. U kërkua zgjatja e afatit 10 mujor për tabelat, ky propozim fillimisht u refuzua, dhe ndodhën barrikadat, dorëheqja e kryetarëve të komunave dhe gjykatave. Vite më parë pala kosovare ka refuzuar edhe gazsjellësin amerikan. Angazhimi ndërkombëtar është që sa më shpejt të kemi marrëveshje përfundimtare me Serbinë. Dilemat kryesore kanë qenë nëse do jetë njohja reciproke. Por besoj se këtë vit Kosova dhe Serbia mund ta kenë marrëveshjen përfundimtare. Duhet shfrytëzuar që në krye është një President pro shqiptarëve, z. Joe Biden, ndërkohë që vitin e ardhshëm mund të kemi situata të pafavorshme për Kosovën. Nëse ka garancione nga pala amerikane, Kurti do ta pranojë një Asociacion, bazuar edhe në rekomandimet e Gjykatës Kushtuetuese”.
Ai tha se Beogradit do t’i bëhet presion, dhe nëse nuk pranohet plani franko-gjerman,
Humbjet do të jenë shumë më të mëdha, Serbia do bllokohet në procesin e saj të integrimit europian dhe s’ka alternativë tjetër për qytetarët”.
Lidhur me zhvillimet e fundit, Hamiti vuri në dukje se qeveria shqiptare ka heshtur mbi Kosovën si të bëhej fjalë për ndonjë shtet të një kontinenti tjetër.
Në zhvillimet e fundit qeveria shqiptare ka qenë e heshtur, si të jetë fjala për një shtet në Afrikë apo Azi. Këtu mund të ketë një arsyetim kryeministri për shkak të raporteve me Vuçiçin, por besoj se këto raporte duhen harruar kur bëhet fjalë për Kosovën, cenim të integritetit territorial, apo sabotime nga pala serbe”.



