Kryeministri hungarez Viktor Orban mbështeti këtë të martë partinë fituese të zgjedhjeve, pavarësisht kundërshtive të opozitës vendase dhe vendeve perëndimore që kanë hedhur akuza për manipulim. Ndërsa uroi homologun gjeorgjian, Irakli Kobahidze, Orban tha se partia “Ëndërra Gjeorgjane” që fitoi zgjedhjet nuk e la vendin të bëhet një Ukrainë e dytë.
Ne e dimë se çfarë do të thotë luftë dhe sa e rëndësishme është paqja. E kuptojmë vendimin e popullit gjeorgjian për të zgjedhur në favor të lirisë. Përgëzoj qeverinë gjeorgjiane për faktin se duke zbatuar politika pro-evropiane, nuk lejuat të ktheheshit në një Ukrainë të dytë. Vlerësojmë shumë përkushtimin e kryeministrit ndaj kësaj ideje dhe jam i bindur se Gjeorgjia do të jetë e gatshme për t'u bashkuar me Bashkimin Evropian deri në fund të kësaj dekade.
Kjo deklaratë e kryeministrit Orban nuk u prit mirë nga shumë vende të Bashkimit Evropian. "Ne kritikojmë vizitën e parakohshme të kryeministrit Orban në Gjeorgji. Ai nuk flet në emër të Bashkimit Evropian," thanë në një deklaratë 13 ministra të jashtëm nga vendet anëtare të BE-së.
Fushata zgjedhore në Gjeorgji u karakterizua nga akuzat e forta të partisë në pushtet për opozitën si kukull në dorën e ndërkombëtarëve që do ta çonin vendin në përplasje me Rusinë. Opozita ka nisur protestat duke kërkuar transparencë për procesin zgjedhor. Mijëra persona protestuan jashtë parlamentit.
Presidentja Salome Zourabichvili mbështet protestën qytetare. Sipas saj, zgjedhjet nuk u humbën, ato u vodhen.
Ju nuk i humbët zgjedhjet. Ata vodhën votën tuaj dhe u përpoqën të vjedhin të ardhmen tuaj, por askush nuk ka të drejtë ta bëjë këtë pasi ju nuk do t’i lejoni”.
Giorgi Vashadze, përfaqësues i opozitës, kërkoi zgjedhje të reja me më shumë vëzhgues ndërkombëtar.
Ne nuk do të hyjmë në këtë parlament. Ne i refuzojmë të gjitha mandatet. Ne nuk do të hyjmë në asnjë negociatë. Ne do të luftojmë deri në fitore dhe ju premtojmë se do të fitojmë së bashku.
Zgjedhjet parlamentare të së dielës u fituan nga partia në pushtet „Ëndrra Gjeorgjiane” me 54.8% te votave. Kremlini mohon të ketë ndërhyrë në këtë proces, ndërsa SHBA-të dhe BE-ja kanë kërkuar transparencë dhe hetim për procesin zgjedhor.



