Supermodelja gjermane Heidi Klum është padyshim mbretëresha e Hallouinit. Ajo ia del të surprizojë çdo vit me shndërrimin që në shumicën e rasteve i ka bërë njerëzit të mos e njohin.
Nëse deri pak vite më parë, aktori Harrison Ford ishte ai që tërhiqte mbi vete vëmendjen e të gjithëve sapo afronte Hallouini, kjo për shkak të ideve fantastike për maskimet, modelja 44-vjeçare e ka sfiduar denjësisht vitet e fundit.
Që prej vitit 2000, ajo është bërë mbretëresha e festave të Hallouinit, të cilat i organizon në Nju Jork, ku mblidhen shumë yje të Hollivudit, fotot e të cilëve bëjnë xhiron e botës në pak minuta.
Vetë Klum i ka lënë pa mend të ftuarit pasi ka gjetur gjithmonë mënyrën për të surprizuar. Ndërsa Hallouini është rrugës dhe adhuruesit presin me padurim maskimin e radhës, le të shohim disa prej shndërrimeve më të pabesueshme të supermodeles Klum.



