
Me miliona europianë nuk kanë hipur kurrë në avion. Wizz Air e sheh këtë komunitet si tregun ku duhet të zgjerohet. Në një intervistë për Corriere della Sera, CEO i Wizz Air, József Váradi, thotë se 60% e banorëve të Europës Perëndimore nuk kanë fluturuar kurrë me avion.
Janë miliona njerëz atje që nuk kanë fluturuar kurrë. Le të shohim Evropën Perëndimore: 60% nuk kanë hipur kurrë në avion. Në Lindje, madje 80% nuk kanë fluturuar kurrë. Ajo që duhet të bëjmë është t’i bindim këta njerëz të hipin në avionët tanë. Dhe jo vetëm kaq. Me tarifat e ulëta rritet edhe frekuenca e udhëtimeve.
Kompania e njohur për tarifat low cost synon të tërheqë klientë të tjerë duke mbajtur të njëjtën strategji.
Ne duam që njerëzit të paguajnë për llojin e shërbimit që ata kërkojnë, ne nuk duam që ata të paguajnë për kapuçinon e dikujt tjetër. Dhe të mos harrojmë rolin e rëndësishëm që luajnë tarifat e ulëta.
Ndërsa në lidhje me fluturimet me vonesë apo ato të anuluara, një situatë e përsëritur disa herë edhe në fluturimet nga Rinasi, Váradi thotë se janë marrë masa, në mënyrë që të mos përsëritet situata e verës së kaluar në disa aeroporte të Europës.
Kemi përgatitur disa skenarë dhe një prej tyre ka të bëjë me një verë të ngjashme me vitin e kaluar. Kjo është arsyeja pse ne kemi bërë disa investime kohët e fundit. Kemi dyfishuar personelin që merret me operacionet e përditshme, duke shkuar nga 150 në 300. Kemi rishikuar edhe lëvizjet e avionëve, duke lënë më shumë liri për pilotët dhe stjuardesat në rast vonese, duke minimizuar rrezikun e tejkalimit të afateve dhe kufizimet kohore. Ne kemi krijuar më shumë ekuipazhe fluturimi në gatishmëri, të gatshëm të ndërhyjnë nëse lind nevoja. Kemi më shumë avionë rezervë, më shumë motorë dhe më shumë pjesë rezervë.
Sidoqoftë, Wizz Air rezulton kompania më e mirë e fluturimeve në Europë, përgjatë tre muajve të parë të këtij viti. Váradi thotë se kompania ka anuluar vetëm 0.2% të fluturimeve të parashikuara. Shifra konfirmohet edhe nga të dhënat e nxjerra nga platformat e specializuara Diio Mi dhe FlightAware dhe nga analistët e Raymond James.



