
Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në një tjetër seancë plenare, ku në fokus të rendit të ditës është miratimi i përbërjes së komisioneve të përhershme parlamentare, përfshirë kryetarët dhe anëtarët e tyre.
Gazetarja e “MCN Live”, Oliverda Allmuça, bën të ditur se përveç kësaj pike zyrtare, pritet që Partia Demokratike të tentojë futjen në rend dite të një diskutimi lidhur me shkarkimin e djeshëm të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ka sinjale se PD do të kërkojë ta sjellë çështjen ‘Veliaj’ për diskutim në Kuvend, por mbetet për t’u parë nëse Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, do ta lejojë këtë iniciativë të opozitës.
Deri më tani, janë miratuar vetëm kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve, të propozuar nga mazhoranca socialiste, ndërsa komisionet kanë mbetur jo funksionale për shkak të mungesës së përfaqësuesve të opozitës.
Një ditë më parë, PD njoftoi zyrtarisht dorëzimin e emrave të saj për katër komisionet që i takojnë për t’i drejtuar. Emrat janë miratuar paraprakisht në Konferencën e Kryetarëve dhe pritet të kalojnë sot në votim në seancë plenare.
Burime nga Kuvendi bëjnë të ditur se, përveç pikës për komisionet, pjesa tjetër e seancës ka një axhendë formale dhe procedurale.
Megjithatë, opozita synon të përfitojë nga hapësira politike për të ngritur çështjen e Veliajt, në dritën e zhvillimeve të fundit në Bashkinë e Tiranës.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë sot në orën 18:00 një takim me figurat drejtuese të bashkisë së Tiranës, në kuadër të zhvillimeve të fundit që kanë ngjallur debate të forta politike.



