
Një javë pas tërmetit të 26 nëntorit, janë 12 mijë personat e strehuar në hotele, çadra dhe qendra sociale. Shifrat u bënë të ditura sot në mbledhjen e qeverisë, nga korrdinatori për menaxhimin e krizës nga tërmeti, Bledi Çuçi.
“Strehimi ka shkuar 12 mijë persona që janë akomoduar në hotele, çadra, qendra sociale, palestra, etj. 4 mijë persona janë në hotele, 254 në palestra, 6.5 mijë në çadra, 395 në qendra sociale, 769 në Kosovë dhe 436 në akomodime të tjera”, tha ai.
Ndërsa sa u takon dëmeve në shkolla, 26 prej tyre, ku marrim mësim 10 300 nxënës janë me dëme: 15 në Durrës, 2 në Lezhë dhe 9 në Tiranë.
Ndërkohë, vijon inspektimi i ndërtimeve të dëmtuara. Në Durrës janë inspektuar 656 objekte, 242 të pabanueshme, 27 për t’u prishur.
Në qarkun Tiranë janë 525 pallate të dëmtuara dhe 3921 banesa e 146 biznese.
Në Lezhë janë 400 banesa të dëmtuara, 138 me dëme të mesme, 53 pallate të dëmtuara rëndë, 13 institucione me dëme të rënda dhe 3 të mesme.
Çuçi tha se ditën e sotme pritet përfundimi i strehimit për të gjitha familjet e prekura me viktima.
Sa u përket pallateve të dëmtuara, Çuçi tha se deri tani 12 pronarë janë shprehur të gatshëm për rindërtimin e atyre që nuk kanë marrë goditje në strukturë.



