Një sipërmarrës shqiptar në Greqi është zhdukur në mënyrë të mistershme, në zonën e Rodos.
Bëhet fjalë për një 46-vjeçar shqiptar, baba i tre fëmijëve, i cili merrej me sipërmarrje në sektorin e ndërtimit në Rodos.
Prej shqiptarit nuk ka asnjë gjurmë qysh prej 28 gushtit, ditë prej së cilës celulari i tij rezulton i fikur, ndërsa makina e tij u gjet e braktisur dy kilometra larg shtëpisë.
Denoncimi për zhdukjen e shqiptarit u bë nga vëllai dhe bashkëshortja, të cilët kanë kërkuar me ngulm në vendet që ai i vizitonte zakonisht, por pa rezultat.
Takimi i fundit i 46 -vjeçarit është bërë pasditen e së dielës me një grup shokësh dhe në mbrëmjen e së njëjtës ditë do të takohej me një klient në një njësi hoteliere, raportojnë mediat greke.
Sipas policisë, të gjitha portat e daljes nga ishulli janë kontrolluar por pa asnjë rezultat, ndërkohë që po merren në pyetje personat që kanë pasur transaksione financiare dhe profesionale me 46-vjeçarin shqiptar.



