Në një prej aktiviteteve të organizuara për Ditën e Rinisë, ku i pranishëm ishte kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, aktivistë të Organizatës Politike kanë protestuar sërish, për disa çështje.
Bruna Sollaku, aktivistja e cila protestoi dje tha sot nga studio e lajmeve të MCN TV se studentët nuk mund të heshtin më përballë propagandës. “Ne kemi dashur ti përplasim të vërtetat në fytyrë kryebashkiakut”, tha Sollaku teksa shpjegoi se të rinjtë nuk ishin organizuar kundër Veliajt, por gjithçka ishte e rastësishme. Ajo gjithashtu paralajmëroi se studentët janë duke biseduar për protesta të tjera, por nuk dha datë se kur mund të ndodhin duke theksuar se janë po të njëjtat gjëra ndër vite që duhen rregulluar.
Intervista:
Sërish protestë kundër Erion Veliajt, pse e keni vendosur kryebashkiakun në qendër të kritikave tuaja? Nuk është hera e parë që zhvilloni të tilla aksione në takimet e Veliajt…
Sollaku: Nuk është hera e parë dhe as e fundit. Ne kemi dashur ti përplasim të vërtetat në fytyrë. Ka 6 vite si kryetar dhe janë rregulluar vetëm 6 konvikte, të cilat si ka bërë as ai por ambasada turke. Karta e studentit është absurde, ka ulje në dyqanet e Noizyt, ku një bluzë kushton sa qeraja e një muaji. Ne nuk mund të heshtim më përballë propagandës.
Gjatë protestës, ju përmendi tarifat e larta që, sipas jush, paguajnë studentët shqiptarë, një çështje që nuk i përket drejtpërdrejtë kryebashkiakut të Tiranës, por Ministrisë së Arsimit, cilat janë raportet e organizatës tuaj me zonjën Evis Kushi. Keni pasur kontakt për të adresuar këto shqetësime?
Sollaku: Ne kemi që në 2014-ën që kërkojmë arsim falas. Ne vazhdojmë ta kërkojmë këtë dhe i kemi folur këto probleme kudo kemi mundur. Rasti i djeshëm ishte rastësi. Ne kërkojmë arsimin falas dhe të mos kushtëzohet nga situata ekonomike.
A po organizoheni për protesta të tjera studentore?
Sollaku: Jemi duke biseduar, nuk e dimë se kur do jetë gati të ndodhë një protestë. Janë po të njëjtat gjëra ndër vite që duhen rregulluar.
Organizata Politike ka nisur edhe një fushatë për atë që e quani “Karta Sociale”, cili është qëllimi i saj?
Sollaku: Ka disa pika që ne i kërkojmë që nga minimumi jetik 180 mijë lekë, pagën minimale, arsimin falas.



