Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, të cilët ishin shpallur më herët në kërkim për vepra të ndryshme penale. Gjatë operacioni, policia njoftoi se janë sekuestruar doza me lëndë narkotike kanabis, heroinë dhe metadon.
“Nga Seksioni i Kërkimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, në rrugën ‘Jordan Misja’, Tiranë, u kap shtetasi në kërkim A. S., 26 vjeç, për të cilin Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka dërguar urdhrin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë, e cila e ka dënuar me 1 muaj burgim për veprën penale ‘Largimi nga vendi i aksidentit’”, njoftoi policia.
Ndërsa specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit I. Gj.(D.), 34 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Përndjekja” dhe “Dhuna në familje”.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në kuadër të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të shkollave, në rrugën “Ali Baushi” u godit një tjetër rast, duke kapur dhe vënë në pranga shtetasin Xh. H., 34 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik dhe në banesë iu gjetën dhe u sekuestruan 23 doza me lëndë narkotike kanabis, 19 tableta metadon, një sasi me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, një sasi lekësh dhe 1 aparat celular, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht edhe shtetasi E. T., 45 vjeç, pasi i është gjetur një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, të cilën ia ka blerë shtetasit Xh. H. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.



