
Psikologjia nuk e njeh zyrtarisht varësinë nga pornografia si një çrregullim të veçantë, megjithatë shumë individë raportojnë se ndihen të varur prej saj.
E ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, psikologia Almeida Xhaferi foli mbi ndikimin që pornografia ushtron në marrëdhëniet në çift dhe në mënyrën se si individët përjetojnë seksualitetin dhe intimitetin.
Pornografia është vetëm një element dhe nuk përcakton breza apo shoqëri të tëra, por ajo vazhdon të mbetet një temë tabu, për mënyrën se si transmetohet, interpretohet dhe diskutohet mes të rinjve, miqve apo edhe brenda familjes.
Shoqëria jonë ende e trajton seksin si diçka të ndaluar ose të turpshme, duke e mbuluar dhe lënë në hije, pa e diskutuar as me partnerin dhe shpesh as me veten.
Mungesa e komunikimit të hapur për nevojat dhe kënaqësitë seksuale bën që individët të vënë në dyshim normalitetin e fantazive të tyre.
Kjo sjell vështirësi në ndërtimin e intimitetit me partnerin, duke e bërë të pamundur që kënaqësia seksuale të ecë paralelisht me jetën në çift.
Si pasojë, disa individë krijojnë raporte paralele me pornografinë, duke shmangur përfshirjen emocionale dhe duke kërkuar kënaqësi përmes vetëkënaqjes.
Pornografia, sipas psikologes, e vendos individin në rolin e vëzhguesit dhe sa më shumë kënaqësia merret pa përfshirje reale, aq më i madh bëhet rreziku i krijimit të një varësie.
Kjo ndikon jo vetëm në raportet në çift, por edhe në mënyrën se si perceptohet roli i vetes brenda marrëdhënies.
Në veçanti gjatë adoleshencës, ekspozimi i tepruar ndaj pornografisë mund të çojë në izolim social, pasiguri dhe vështirësi në ndërtimin e marrëdhënieve reale, duke ofruar një ndjenjë kënaqësie pa përfshirje emocionale apo ndërpersonale.



