Joshja nga falja e interesave, përshpejtimi dhe thjeshtimi i procedurave për të marrë kredi, ka bërë që shumë qytetarë të dynden në dyert e institucioneve financiare jo banka.
Në të tilla kushte një pjesë e mirë e tyre vuajnë shumëfishimin e principalit të marrë në këto institucione të mikrofinancës që operojnë në kryeqytet.
Mes kërcënimeve dhe shtimit të detyrimeve, qytetarët thonë se shlyerja e kredisë është kthyer në një makth nga i cili nuk kanë informacionin e duhur se si të shpëtojnë.
Brunilda Isaj, sekretare e përgjithshme e shoqatës së mikrofinancës thotë për MCN se vonesat në shlyerjen e kësteve po bëjnë që detyrimet e qytetarëve ndaj këtyre institucioneve të shtohen, teksa thekson se në shumë raste problem mbetet paqartësia dhe mungesa e vëmëndjes ndaj kontratave që firmosen.



