Kryeministri Rama iu përgjigj akuzave të kreut të PBDNJ-së lidhur me prishjen e ndërtesave në Himarë. Në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit, Rama tha se programi i Rilindjes Urbane është shtrirë në të gjithë vendin, por asnjë shtet fqinj nuk është ngritur të protestojë.
“Është hapur një debat për disa banorë të Himarës që janë të revoltuar për planin e bashkisë. Ai qytet sot ka hyrë në rrugën e transformimit rrënjësor. Himara nuk është i vetmi qytet që ka hyrë në rrugën e Rilindjes Urbane. Shpronësimet e ndërtimeve të paligjshme apo prishjet e ndërtimeve të ligjshme gjatë operacionit transformues të procedurës urbane janë unifikuar si në Tropojë, si në Himarë. Edhe në Tropojë ka banorë që nuk bien dakord. Por çuditërisht as për ata dhe as të tjerë nuk kemi dëgjuar të indinjohet ndonjë shtet tjetër dhe të fillojë kuja në mediat e atij shteti. Kjo ndodh vetëm me Himarën”, tha ai.
Rama ripërsëriti se greqishtja e folur në Himarë nuk e bën atë një qytet grek, ashtu si shqipja e folur dikur në Athinë nuk e bëri atë qytet shqiptar.
“Po ku fle lepuri? Si ka mundësi që një praktikë rutinë për 12 ndërtime pa leje dhe 6 ngrehina në proces shpronësimi ligjor të angazhojë një shtet të tërë me komunikata zyrtare e shkrime në media?
Pse fqinjëve tani nuk u erdhi mirë kur unë përmenda Gjergj Dushmanin, shqiptarin që historia e bëri të gjendej në kohën dhe vendin e duhur. Unë nuk mërzitem fare kur më thonë se në Himarë flitet sot greqisht dhe as e folura shqip në Athinën e djeshme nuk e bën Athinë qytet shqiptar, dhe as e folura greqisht në Himarë nuk ka për ta bërë kurrë qytet grek.
Miku im i dashur, nuk të vë dot faj. Përsa kohë ti e tregon ëndrrën tënde me tjegulla që rrëzohen nga çatitë e shtëpive, përderisa gjen njerëz që këtë e shohin si provë të fortë, për llogarinë e partisë tënde që po tretet si kripa në ujë, sepse ke marrë përsipër të bësh diçka që është në dëm të hapur në marrëdhënie mes vendeve tona”, tha ai.



