
Është vënë nën kontroll dhe është shuar zjarri që përfshiu një sipërfaqe të madhe me ara në zonën e Koxhasit, në njësinë administrative Xhafzotaj, Bashkia Shijak.
Korrespondentja e MCN Live, Ervina Garo, raportoi se dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme.
Sipas informacioneve paraprake, flakët mund të kenë nisur nga djegia e mbeturinave dhe më pas janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga era.
Për shkak të afërsisë vetëm pak metra me autostradën Tiranë-Durrës, tymi i dendur dhe flakët krijuan panik te drejtuesit e automjeteve dhe vështirësuan qarkullimin.
Autoritetet ndërhynë për menaxhimin e trafikut, ndërsa pas shuarjes së zjarrit lëvizja në autostradë iu rikthye normalitetit.
Në operacion morën pjesë 23 efektivë zjarrfikës nga Shijaku, Durrësi dhe Vora, të cilët punuan për disa orë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Sipas burimeve në terren, zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqet bujqësore.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë të ngjarjes, ndërsa dyshimet paraprake janë për zjarrvënie të qëllimshme.



