
Ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ka ankimuar përjashtimin e tij nga gara për kryetar të Partisë Demokratike.
Salianji ka depozituar kërkesën zyrtare pranë Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit, ku kërkon shpalljen të pavlefshme të çdo vendimmarrjeje për përjashtimin e tij nga partia.
Po ashtu, ai kërkon edhe anulimin e vendimit nr. 120, datë 1 maj 2026, të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, që lidhet me përjashtimin e tij nga gara për drejtimin e PD-së.
Në dokumentin voluminoz, Salianji pretendon se kandidatura e tij për kryetar të PD-së është penguar në mënyrë të paligjshme, duke deklaruar se dokumentacioni i dorëzuar fizikisht, me postë dhe email, nuk është marrë në shqyrtim.
Ai kundërshton gjithashtu pretendimet për përjashtimin e tij nga anëtarësia dhe kërkon që çdo vendim i tillë, nëse ekziston, t’i vihet në dispozicion për ndjekjen e procedurave statutore.
Në kërkesë, Salianji ngre edhe pretendime për mospërputhje statutore në kandidimin e Sali Berisha për kreun e PD-së, duke kërkuar shqyrtim të plotë nga organet statutore të partisë dhe zhvillimin publik të çdo seance dëgjimore mbi çështjen.
Dokumenti mbyllet me kërkesën për shfuqizimin e vendimeve që, sipas Salianjit, bien ndesh me statutin dhe me parimet demokratike të funksionimit të partisë.



