Në pikën kufitare Kakavijë prej ditësh është shkaktuar kaos dhe rradhë e gjatë kilometrike, për qytetarët shqiptarë që duan të kalojnë në Greqi, rrëmujë kjo e krijuar për shkak të masave anti-Covid.
Për shkak të faktit se kalimi mund të kryhet vetëm, në fashon e orareve 06:00 deri në 22:00, dhe për më teper duke ditur se nga 16 gushti Greqia kthen karantinën 7 ditore për këdo që futet në vend, edhe shqiptarët që janë rezidente në këtë Greqi po nxitojnë të kthehen pas pushimeve në Shqipëri. Mirëpo puna e ngadaltë në palën greke ka shkaktuar një kaos të vërtetë.
Lidhur me këtë situatë të vështirë ka reaguar Komisioni për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili u ka bërë apel ministrisë së Brendshme dhe të Jashtme, që të kujdesen për qytetarët.
“Radhët e gjata, temperaturat e larta dhe mungesën e shërbimeve të higjenës e ndjejnë më shumë të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuar, si dhe njerëzit me probleme me shëndetin”, thuhet në apel.
APELI i Komisionit për Mbrojtjen nga Diskriminimi
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi po ndjek me shqetësim situatën në pikën kufitare të Kakavijës, që për shkak të marrjes së masave anti COVID19, ka shkaktuar vonesa e vështirësi në kalimin e qytetarëve shqiptarë në Republikën e Greqisë.
Radhët e gjata, temperaturat e larta dhe mungesën e shërbimeve të higjenës e ndjejnë më shumë të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët dhe personat me aftësi të kufizuar, si dhe njerëzit me probleme me shëndetin.
Në këtë kontekst, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi nxit Ministrinë e punëve të Brendshme dhe të Jashtme të marrin masa pozitive të përkohshme për familjet që kanë në brendësi këto kategori, për kalimin e menjëhershëm të kufirit.
Po kështu, ministritë të ndërmjetesojnë me autoritetet greke për rritjen e numrit të personave që kalojnë kufirin, për t'iu përgjigjur situatës së pazakontë në pikën kufitare të Kakavijës.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi vlerëson rëndësinë e masave pozitive të përkohshme, në përputhje me protokollet e OBSH për luftimin e pandemie COVID19, për të gjetur një pikë mirëkuptimi me qytetarët dhe autoritetet”, shkruhet në njoftim.
Vargu i makinave ka arritur deri në Jorgucat, në një distance rreth 20 kilometra që nga pika kufitare. Qytetarët po qëndrojnë mes diellit dhe nuk dihet se kur mund të kalojnë kufirin.



