Organizata terroriste ETA dorëzohet përfundimisht. Nqë një letër të publikuar nga BBC-ja, grupi separatist bask ka njoftuar se 8 prilli shënon ditën e çarmatimit definitiv, me dorëzimin në Francë të të gjitha armëve dhe eksplozivëve që disponon.
Në letrën në dy gjuhë, spanjisht dhe anglisht, e cila i drejtohet komunitetit ndërkombëtar, thuhet se ETA është tashmë një “organizatë e çarmatosur”, por shton se “procesi i paqes nuk është përmbyllur ende” dhe akuzon se qeveritë e Spanjës dhe Francës, të cilat sipas saj refuzojnë një dialog të drejtpërdrejtë.
“E vetmja garanci suksesi është mbledhja e mijëra njerëzve nesër në Bayonne në mbështetje të çarmatimit”, thuhet në letër.
Megjithatë në letër nuk përmendet asnjë afat për shkrirjen përfundimtare të organizatës, në një kohë kur vetë qeveria spanjolle dhe e majta radikale (Sortu) ia kanë frikën shndërrimit të saj në një lëvizje politike.
ETA është shkurtesë e Euskadi Ta Askatasuna, që në gjuhën baske do të thotë “Atdheu bask dhe liria”. E themeluar në vitin 1958 nga një grup ushtarakësh të përjashtuar nga Partia Nacionaliste Baske, ETA u përfshi në luftë të armatosur kundër diktaturës frankiste.
Me mbërritjen e demokracisë në vitin 1977, ETA vijoi rrugën e terrorizmit në emër të pavarësisë së rajonit bask. Në mijëra atentate që ata përgatitën, humbën jetën mëse 1 mijë njerëz, shumë u morën peng e të tjerë u plagosën.
Një luftë e përgjakshme që nuk u kurseu jetën disa politikanëve, sipërmarrësve, qytetarëve të thjeshtë, por mbi të gjitha pjesëtarëve të Guardia Civil, agjentë policie dhe ushtarakë.
Aktiviteti i ETA-s pushoi më 20 tetor 2011. Që prej atëherë, grupi nuk ka kryer më asnjë atentat. Në këmbim të shkrirjes së grupit, qeveria spanjolle ka premtuar lirimin e disa të akuzuarve të saj, rreth 400, të cilët ndodhen në burg. / La Repubblica /



