Me rastin e 1 Majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, presidenti Ilir Meta deklaroi se punëtorët në Shqipëri, që janë prekur më së shumti nga kriza, duhet të përfitojnë realisht nga paketat e premtuara nga qeveria.
Sipas tij, vendi ynë vijon të ketë pagën më të ulët në rajon dhe pakënaqësitë e punëtorëve vazhdojnë të jenë të shumta.
“Edhe 1 Maji i këtij viti, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, e gjen Shqipërinë me nivelin më të ulët të pagës në rajon dhe në Europë sipas institucioneve financiare ndërkombëtare. Gjendja e rëndë ekonomike e përkeqësuar me situatat e vështira që po kalojmë nuk jep shpresë se diçka do ndryshojë për mirë në një të ardhme të afërt. Të punësuarit në sektorin privat ende vijojnë të shprehin pakënaqësi të mëdha për mungesën e një kontrate të rregullt pune, mosrespektim të kushteve të punës dhe të drejtave të tyre, për paga të ulta dhe për mospagim të kontributeve shoqërore. Në gjendjen aktuale, të tregojmë vëmendje të veçantë dhe të shtuar që punëtorët në sektorët më të prekur, jo vetëm t’i dëgjojnë, por edhe të përfitojnë realisht nga paketat ekonomike të premtuara.”
Kreu i shtetit tha se të gjithë duhet të reflektojnë nga kjo situatë që 1 Maji të mos jetë më ditë pushimi, por ditë feste për punëtorët.



