
Greqia njoftoi ditën e djeshme hapjen e kufijve për shqiptarët që duan të udhëtojnë për arsye jo esenciale. Ndërkohë sot, Stacioni i Policisë Kufitare Kapshticë ka dhënë detaje se cilat kategori mund të kalojnë dhe me çfarë duhet të jenë të pajisur udhëtarët.
Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë, Stacioni i Policisë Kufitare Kapshticë, bëjnë të ditur se Kapshtica nga sot është e hapur pa orar të limituar.
Autoritetet e Policisë Greke, kanë njoftuar palën shqiptare se do të lejohet hyrja për në Greqi, për shtetasit shqiptarë me pasaportë.
Po ashtu do të lejohen të hyjnë e dalin shtetasit me leje qëndrimi greke, shtetasit e tjerë europianë.
Në çdo rast, udhëtarët duhet të jenë të pajisur me testin e COVID-19 dhe të kenë të plotësuar formularin e regjistrimit PLF në adresën www.travel.gov.gr.
Pasi të kenë marrë konfirmimin, do të lejoheni për të hyrë në shtetin grek.
Do të lejohen gjithashtu të hyjnë në Greqi, mjetet e tonazhit të rëndë dhe autobusë, drejtuesit e të cilëve duhet të bëjnë regjistrimin e formularit PLF dhe duhet t’i nënshtrohen një testi të shpejtë COVID-19, pranë palës greke të kësaj pike kalimi.
Pika e Kalimit Kufitar Kapshticë, do të funksionojë 24 orë, pa orar të limituar.



