
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, dhe homologu i tij rus u takuan sot në qytetin bregdetar rus, Soçi. Në një lidhje Skype nga Ankaraja, redaktori i TRT Ëorld, Abdylvehap Ejupi, tha se temë kryesore e takimit mbetet transporti i drithërave. Ejupi e cilësoi fitore të diplomacisë turke marrëveshjen për grurin ukrainas.
Temë kryesore është transporti i drithërave. Bisedohet që edhe gruri i Rusisë të transportohet në tregjet botërore përmes Bosforit.
Temë me rëndësi janë edhe çështjet ekonomike bilaterale mes dy vendeve, por edhe impianti bërthamor me vlerë 20 miliardë euro që ndërton Rusia, i cili mbulon një pjesë të nevojave energjetike të Turqisë.
Është një sukses i madh, si për diplomacinë turke, edhe për opinionin botëror. Gruri që transportohet përmes Bosforit kontribuon në stabilitetin e çmimeve dhe zbutjen e varfërisë. Është një fitore diplomatike e Turqisë dhe përbën një marrëveshje të parë mes Ukrainës dhe Rusisë që janë në luftë. Shpresat janë për marrëveshje të tjera si shkëmbimi i të burgosurve dhe pse jo edhe një marrëveshje armëpushimi.
Në përfundim pritet të ketë një deklaratë të shkruar. Të tjera detaje priten pas kthimit të Erdoganit në Turqi.
Takimi i sotëm mes Putin dhe Erdogan është i dyti në 17 ditë, pas takimit të parë të mbajtur në Teheran. Sipas Ejupit, fakti që Erdogan ka komunikim të drejtpërdrejtë me liderin e Ukrainës dhe atë të Rusisë i jep avantazh Turqisë si vend me potencial për marrëveshje paqeje.
Jetojmë në një epokë me zhvillime të shpejta. Gjithçka konsumohet shumë shpejt në aspektin mediatik. Kemi luftën në njërën anë dhe krizën e gazit dhe naftës në Europë.
Është i vetmi lider që bisedon edhe me Putin dhe me Zelenskyn. Kjo ka rezultuar me marrëveshjen e grurit por edhe marrëveshje të nivelit më të ulët. Kjo rrit nivelin e besueshmërisë mes dy vendeve. Kjo e betonizon pozicionin e Turqisë si vend me potencial për politika elastike.



