Studimi i parë në botë për të gjetur praninë e plastikës në gjakun e njeriut zbuloi grimca në 77% të atyre që u testuan, ka zbuluar një studim i ri.
Plastika PET, e përdorur më së shumti për të prodhuar shishe pijesh, ambalazhe ushqimore dhe rroba, ishte forma më e përhapur e plastikës në qarkullimin e gjakut të njeriut.
Autorët thanë se grimcat plastike mund të hyjnë në trup nga ajri, si dhe përmes ushqimit dhe pijeve.
Dick Vethaak, profesor i ekotoksikologjisë, tha se gjetjet ishin "sigurisht alarmante sepse tregojnë se njerëzit me sa duket thithin aq shumë plastikë sa mund të gjendet në qarkullimin e gjakut. Grimca të tilla mund të shkaktojnë inflamacion kronik", shtoi ai.
Ekipi hulumtues testoi gjakun e 22 personave për pesë lloje plastike. Këto ishin metakrilat polimetil (PMMA), polipropileni (PP), polistiren (PS), polietileni (PE) dhe polietileni tereftalat (PET).
Rreth 17 nga 22 dhuruesit e gjakut mbanin një masë të matshme të grimcave plastike në gjakun e tyre, zbuluan rezultatet.
Pas PET, polistireni, i cili përdoret për të bërë një shumëllojshmëri të gjerë të produkteve shtëpiake, ishte plastika më e zakonshme në mostrat e gjakut të testuara.
Plastika e tretë më e gjetur në gjak ishte polietileni, një material që përdoret rregullisht në prodhimin e qeseve plastike. Deri në tre lloje të ndryshme të plastikës në një mostër të vetme gjaku u matën, thanë shkencëtarët.
PET u gjet në qarkullimin e gjakut të 50 për qind të atyre që u testuan, ndërsa polistireni ishte i pranishëm në 36 për qind.
Profesor Vethaak tha: “Ky hulumtim zbuloi se pothuajse tetë në 10 persona të testuar kishin grimca plastike në gjakun e tyre. Por nuk na tregon se cili është niveli i sigurt apo i pasigurt i pranisë së grimcave plastike.
“Sa është shumë? Na duhet urgjentisht të financojmë kërkime të mëtejshme që të mund ta zbulojmë. Ndërsa ekspozimi ynë ndaj grimcave plastike rritet, ne kemi të drejtë të dimë se çfarë po i bën trupit tonë.”



