
Ka nisur në Tiranë protesta e pestë kundër projektit të zhvillimit në zonën e Zvërnecit, në Vlorë.
Qytetarët janë mbledhur në sheshin “Skënderbej”, nga ku pritet të nisin marshimin drejt godinës së Kryeministrisë për të shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit.
Me pankarta dhe flamuj në duar, protestuesit kanë kërkuar anulimin e projektit, duke i bërë thirrje qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama që të tërhiqen nga zbatimi i tij.
Gjatë grumbullimit janë dëgjuar gjithashtu thirrje kritike ndaj opozitës dhe kreut të saj, Sali Berisha, ndërsa pjesëmarrësit kanë shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj klasës politike në tërësi.
Protesta pritet të vijojë me një marshim drejt Kryeministrisë, ku organizatorët kanë paralajmëruar mbajtjen e fjalimeve dhe paraqitjen e kërkesave të tyre lidhur me projektin e Zvërnecit.



