Kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu duke folur në MCN Live propozoi që opozita të dalë me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet vendore.
Kreu i PR tha se ka dy rrugë për përcaktimin e kandidatëve, e para përmes zgjdhjeve të hapura që shkojnë përtej anëtarësisë së PD-së, dhe opsioni i dytë përmes një sondazhi nga një institucion i besueshëm.
Me z.Duka dhe z.Shehu takohemi në mënyrë periodike. Në 6 mars thamë që s’bëhemi pjesë e ndarjes dhe kërkuam zgjedhje të hapura, ku të përfshihen të dy palët. Opozita e ka detyrim të dalë me një kandidat. Si zgjidhet, përmes pazarit? Nuk mendoj se funksionon më kështu. Ka dy rrugë, ose me zgjedhje të hapura ku votojnë edhe qytetarët. Ka një shqetësim shiko se do vijnë socialistët të votojnë. Nëse PS manipulon një proces të brendshëm atëherë opozita është e paaftë të përballet në zgjedhjet lokale! E dyta mund të jetë një sondazh nga një institut kredibël, për të gjetur kandidatin më të mirë. Ne diskutuam sot me kolegët. E kemi bërë publik unë dhe z.Shehu në emër të Aleancës për Ndryshim. Do diskutojmë edhe me partitë e tjera, që janë në Parlament ose jo. Mos harroni që ka edhe parti të vogla që kanë ngelur jashtë Parlamentit si pasojë e sjelljes së partive të madha. Nëse ne vemë të ndarë në zgjedhje i kemi bërë një nder Edi Ramës. Ndarja në zgjedhjet e kryetarit të bashkisë është disfatë për qytetarin shqiptar. E rëndësishme është të mos ketë të përjashtuar. Ngritja e diskutimit duhet të bëhet në një nivel me teknik".
Sipas kreut të PR opozita duhet t’u jap mundësinë kandidatëve jashtë politikës, duke theksuar se një profil qytetar mund ta mundë Veliajn në kryeqytet.
Duhet t’u japësh mundësi qytetarëve të jenë pjesë e procesit. Nëse ua jep mundësinë ke krijuar një marrëdhënie të parë besimi te ta. Nuk kemi shkuar te kandidatët. Do ishte varfëri e madhe që ne të besonim se s’ka kandidatë shoqëria shqiptare. Absolutisht që ka nevojë për autoritete që nuk vijnë thjesht me kostumin politik të një partie. Kushdo që gëzon një profil qytetar mund ta mundë Veliajn. E keqja politike mundet me profil qytetar. Z. Kosova mori më shumë vota se PD, këtë duhet ta analizojmë. Në Prishtinë iu dha mundësia një kandidati që vinte nga Britania. Duhet të shikojmë përtej vetes. Largimi i të rinjve është një alarm shumë i madh. Opozita e ka detyrim që t’i kthejë këta në një marrëdhënie qeverisëse dhe politike nesër. Kemi kualitete në shëndetësi, art, shkencë. Është nevojë imediate për ndryshimin e Shqipërisë. Edi Ramës kostumi i kryeministrit i rri ngushtë. Gabimin më të madh që mund të bëjë opozita është që veprimin e vet ta lidhë me sjelljen e Ramës. Qytetarët shqiptarë duan të jenë pjesë e një marrëdhënie ku të ndihen mirë me qeverinë e tyre, që të ndërtojnë një të ardhme në Shqipëri. Pse ikin profesionistët, sepse është bërë terreni i papajtueshëm. E shikoj Melonit si model të suksesit, që mund të referohet, aq sa mund të referohet”.
Mediu u shpreh se nuk beson që PD-ja të ketë lidhje me Rusinë, por duhet të bëjë transparencë mbi çështjen.
Unë kam bindjen që PD ka qenë parti me vokacion perëndimor dhe evropian. Jam i bindur që s’ka asgjë që ka të bëjë me financimet ruse. Kam bindjen që Basha s’ka pas të bëjë me raporte me Rusinë. PD duhet ta bëjë transparente këtë çështje. Sa më transparente të jetë PD aq më mirë do ishte për PD-në por edhe individët që akuzohen”.
Ndër të tjera Mediu tha se Shqipëria ka nevojë të bëjë një ligj “screening” për kompanitë e huaja, duke iu referuar influencës ruse dhe kineze në vendin tonë.
Shqipëria nuk është e imunizuar nga influenca e Kinës dhe Rusisë. Ndoshta ka nevojë me një ligj që të bëjë screening për të gjitha kompanitë që vijnë. Kam pasur një diskutim me ambasadoren amerikane dhe besoj që ka nevojë për një paketë të qartë për financimin e partive politike. Më mirë do ishte të kishte financime me burime shtetërore, se sa të padeklaruara. Në Lituani psh. ka ligje për kompanitë dhe ato offshore, si dhe një ligj screening.



