
Shefi i Shtabit të Lipjanit nga PDK, Shukri Buja, tha për MCN se partia synon fitoren dhe formimin e qeverisë me një program prej 17 kapitujsh që mbulon të gjitha fushat e jetës. Ai theksoi se fokusi kryesor do të jetë zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia dhe bujqësia.
“Ne realisht luftojmë për vend të parë dhe kemi një program jashtëzakonisht të fuqishëm. Me kandidatin për premierë të Zotit Hamza, kemi 17 kapituj të programit që përfshijnë të gjitha fushat e jetës. Fillojmë me vizionin e kandidatit të Partisë Demokratike të Zotit Hamza dhe përfundojmë me kapitullin e 17, ku flitet për punët e jashtme dhe për partneritetin ndërkombëtar me ata të cilët ne kemi pasur partneritet edhe në çlirimin e vendit.
Të gjitha fushat e jetës i kemi në programin tonë dhe projekcioni yni si Partia Demokratike është të dalim në vendin e parë, ta formojmë qeverinë dhe ta çojmë përpara shtetin e Kosovës.
Fokusi kryesor në vendet e pazhvilluara, siç është edhe Kosova, zakonisht shkon tek zhvillimi ekonomik. Fokusi kryesor është tek zhvillimi ekonomik, por pa lënë anash edhe fushat e tjera, sepse Kosova ka shumë probleme. Ka probleme me sigurimet shëndetësore, ka probleme me arsimin, i cili nuk është i koordinuar me tregun e lirë apo prodhon kuadro pa pasur mundësi punësimi. Do të duhet gjithsesi të rishikohet në kohë kurrikula e arsimit.
Kemi çështjen e bujqësisë që kemi një kapacitet jashtëzakonisht të madh për të zhvilluar bujqësinë përmes sistemit të ujitjes. Rrjeti hekurudhor dhe i tranvajeve do të duhet të zhvillohen gjithsesi.
Po me rëndësi është edhe partneriteti ndërkombëtar. Me ruajtjen e partnerëve ndërkombëtarë me të cilët i kemi prishur bukur shumë marrëdhëniet apo i kemi thelluar ndarjet me partnerët që na ndihmuan gjatë luftës dhe shërimin e vendit.”, tha Buja.
Ndërkohë pedagogu nga Prishtina, Mentor Ismaili, tha se mbi 24 mijë votues nga diaspora janë regjistruar për zgjedhjet, ndërsa shumë të tjerë do të vijnë fizikisht në Kosovë për të votuar. Ai theksoi se PDK ka bërë një punë të madhe në diasporë, veçanërisht në Gjermani, Zvicër dhe Itali, dhe beson se do të dalë fituese si jashtë vendit ashtu edhe në Kosovë.
“Tani janë më tepër se njëzet e katër mijë të regjistruar nga diaspora. Një pjesë tjetër do të vijë fizikisht të votojë në Kosovë. Më herët, diaspora nuk ka qenë e mobilizuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, por në zgjedhjet e fundit, Partia në pushtet kishte një numër të konsiderueshëm të votave nga diaspora, me fuqi votuese të lartë, diku rreth 76 për qind.
Por tani ka ndryshuar situata dhe votuesit që janë nga diaspora janë të mobilizuar për të bërë një ndryshim të këtij pushteti, i cili vetëm ka sjellë regres në Kosovë. Kosova faktikisht duhet të punojë shumë për ta rrëzuar këtë pushtet dhe për të sjellë qeverisjen nga z. Bedri Hamza, me një fuqi të konsiderueshme politike.
Gjithashtu, është e rëndësishme të sensibilizohet faktori i Kosovës në agjendat ndërkombëtare. Lirisht mund të themi që është bërë një punë e jashtëzakonshme në Gjermani, Zvicër dhe Itali, ku Partia Demokratike mendon që do të jetë fituese e këtyre zgjedhjeve në diasporë, por edhe në Kosovë.
Në zgjedhjet e kaluara, diaspora, të them të drejtën, nuk ka qenë aq e mobilizuar për Partinë Demokratike. Por në këto zgjedhje, mendoj që Partia Demokratike ka pasur një angazhim të jashtëzakonshëm dhe do të jetë fituese në diasporë.”, tha Ismaili.



