
Si çdo të enjte pritej që sot të mbahej seanca e Kuvendit, por e njejta mësohet se nuk është mbajtur për shkakun se ligjëvënësit kanë dalur në terren për të mësuar më shumë për hallet dhe problemet që i preukopojnë zgjedhësit e tyre. E gjithë kjo, si pasojë e një “rregulloreje të re” të Kuvendit.
Rregullorja e re e organizimit dhe funksionimit të Parlamentit, detyron deputetët t’i drejtohen zonave ku janë zgjedhur për të dëgjuar problemet e qytetarëve. Sipas Rregullores, Kuvendi zhvillon punime në seancë plenare për diskutimin e ҁështjeve të evidentuara nga zgjedhësit pasditen e ditës së hënë, që pason javën me veprimtari njohëse me zgjedhësit. Kësisoj, deputetët do të mblidhen pasditen e së hënës së ardhshme në seancë plenare, pikërisht për të diskutuar mbi problematikat me të cilat janë përballur gjatë takimeve me elektoratin përgjatë javës.
Seanca e së hënës, pritet të zgjasë jo më shumë se katër orë. Koha e diskutimeve do ndahet në mënyrë të barabartë mes shumicës dhe pakicës, duke marrë parasysh edhe deputetin e pavarur ose deputetin jashtë grupeve parlamentare.
Duke ditur pasojat në terren nga dëmtimet që la tërmeti i javës së kaluar, pritet që diskutimet në seancën e së hënës së ardhshme të dominohen nga diskutimet mbi përballimin e pasojave të tërmetit të fundjavës së kaluar.



