
Kreu i shtetit bën thirrje për referendum për mbrojtjen e Kushtetutës. Në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, presidenti Meta tha se qytetarët duhet të marrin në dorë fatin e tyre, në kushtet kur, sipas tij, Kushtetuta e vendit po shkelet hapur dhe dhunshëm, me qëllim që të gjitha pushtetet të përqendrohen në duart e kryeministrit.
Meta tha se në cilësinë e kreut të shtetit do të mbetet garant i Kushtetutës, e cila mbetet vija e kuqe dhe e pakalueshme. Sipas Metës, referendumi është demokraci direkte në veprim dhe ai do të bëjë gjithçka që kjo e drejtë të ushtrohet.
“Unë si president i republikës do të qëndroj si kryegarant i mbrojtjes së Kushtetutë dhe do t’i kundërvihem me të gjitha forcat e mia përpjekjeve të tilla shkatërrimtare dhe antikombëtare. Shqipëria nuk mund të drejtohet me rezolutë, por vetëm me Kushtetutë”, tha ai.
Meta tha se do të kërkojë mbështetjen e mbarë popullit shqiptar për të bërë referendum në mbrojtje të Kushtetutës.
"Le të jetë populli shqiptar nëse vendos të rikthehet në diktaturë apo të mbrojë demokracinë. Referendumi është demokracia direkte. Presidenti do bëjë gjithçka që kjo e drejtë të ushtrohet. Të mbrojmë sot Kushtetutën dhe përmes saj të ardhmen tonë”, tha Meta.



