
BE-ja është e përgatitur të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të ndryshuar sjelljen e Turqisë.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, në një intervistë për greken “Kathimerini”, thotë se mbetet "i kujdesshëm" përballë synimeve të Ankarasë dhe ai vëren se sfidat e shteteve autoritare ndaj aleancës perëndimore janë vazhdimisht në rritje.
Pothuajse dy muaj pas vizitës tuaj në Ankara dhe një muaj para se çështja e Turqisë të paraqitet përsëri në Këshillin Evropian, a shihni ndonjë shenjë përmirësimi të situatës së brendshme? A është bërë Turqia një partner më konstruktiv në politikën e jashtme?
Unë mbetem i kujdesshëm. Ne patëm mundësinë t'u shprehim një qëndrim shumë të fortë dhe të bashkuar autoriteteve turke. Ne ishim përgatitur në një koordinim të ngushtë me 27 vendet anëtare dhe veçanërisht me Greqinë dhe Qipron. Ne kemi dërguar një mesazh shumë të qartë: Ne jemi gati për një axhendë më pozitive, por kjo është e kushtëzuar, proporcionale dhe e kthyeshme. Kjo do të thotë se do të zbatohet vetëm nëse ka përparim në fusha të ndryshme - veçanërisht në marrëdhëniet greko-turke, në zgjidhjen e Qipros, mbi të drejtat e njeriut. Kjo do të varet nga sjellja e Turqisë.
A ka ndonjë vlerësim të përkohshëm për atë sjellje që nga fillimi i prillit?
Nuk kam ndërmend të bëj ndonjë vlerësim para fundit të qershorit. Por në të kaluarën kemi vërejtur se Turqia mund të bëjë një hap përpara dhe më pas dy hapa mbrapa. Pra, ne nuk jemi naivë. Turqia është një fqinjë, është anëtare e NATO-s, por është thelbësore që BE të sigurohet që vendi të miratojë një qëndrim më pozitiv ndaj interesit të përbashkët evropian - ndër të tjera në vende si Libia, Siria dhe Kaukazi. Qëndrimi i Turqisë në këto konflikte në të kaluarën nuk ishte në përputhje me interesin e Evropës. Ne jemi gati të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion për të ndikuar në sjelljen e Turqisë.



