Duke folur në “Arnautistan” muzikologu Vaso Tole e konsideroi iso-polifoninë një “brand” të trashëgimisë shpirtërore të shqiptarëve.
Tole shpjegoi përse është përfshirë fjala “iso” në emërtimin që është regjistruar në UNESCO, ndërsa duke cituar Kadarenë thekson se polifonia me iso është kur individi dhe kolektivja ndërthuren.
Për mendimin tim është arritja më e madhe që trashëgimia shpirtërore është njohur nga një organizëm ndërkombëtar. Është një lloj ‘brand’-i për trashëgiminë shpirtërore të shqiptarëve. Në 2003 u krijua kjo mundësi me aprovimin e konventës, ku UNESCO tha do marr në mbrojtje edhe dukuritë jo materiale të popujve. Inkurajon studime për këtë dukuri, inkurajon inventarët e dukurisë. I rëndësishëm është dokumentimi dhe transmetimi. Zgjodhëm fjalën iso si mbiemër të dukurisë, sepse synimi ishte të përfshinim sa më shumë gjini, tipologji, dhe shtresa të popullatës që e këndonin. Arsyeja pse e shtuam ison ishte që të përfshinim sa më shumë zona dhe mënyra këndimi. Është gjithë Shqipëria e Jugut e përfshirë. Në këndvështrimin muzikor isoja nuk është zë polifonik. Isoja përfaqëson korin. Është dashur si argument teknik që veçoria e polifonisë shqiptare në raport me të tjerat është që është polifoni me iso. Këtu ka një shprehje të veçantë Kadare, ai ka thënë një gjë të mrekullueshme që shpjegon natyrën e vërtetë të polifonisë sonë me iso, ai thotë se ‘polifonia me iso është kur individi dhe kolektivja ndërthuren me njëra-tjetrën’. Isoja i jep shumë dinamizëm këngës”.



