Mbi 7 mijë efektivë një vit më parë plotësuan formularin e vetëpastrimit ku deklaruan se nuk kishin përdorur kurrë Sky ECC.
Ndërkohë hetimet e Prokurorisë së Posaçme vijojnë dhe deri më tani mbi 15 zyrtarë policie rezultojnë të arrestuar dhe në kërkim si të përfshirë në narkotrafik dhe krimin e organizuar, zbuluar nga komunikimet Sky ECC.
Afro dy vite më parë kur ministria e Brendshme drejtohesh nga Taulant Balla, u vendos nëpërmjet një urdhri që të krijohej formulari që shihni në fotografi, të siguruar nga emisioni “FactCheck” në MCN TV.
Efektet e tij do të shtriheshin tek një vetëdeklarim për efekt pastrimin e radhëve të forcave të sigurisë nga efektivët me uniformë të cilët kishin përdorur komunikimet sekrete Sky ECC.
Pak ditë nga urdhri i datës 4 dhjetor 2023, puna nisi në terren. Ky është formulari që me mijëra policë në të gjithë vendin morën në dorëzim dhe patën nga 24 deri në 72 orë për ta plotësuar dhe dorëzuar tek burimet njerëzore.
Askush nuk refuzoi dhe ky proces nisi e u mbyll në pak javë. Rezultati i tij ishte asnjë efektiv nuk kishte përdorur Sky ECC sipas vetëdeklarimit.
I vetmi që u vu në diskutim ishte përgjigja “PO” e një gardisti, por ai s’u përjashtua nga shërbimi pasi hetimi dhe verifikimi thelluar zbuloi se nuk ishte një Sky i lidhur me botën e krimit por aplikacion astronomie.
Por a ishin të sinqertë efektivët dhe ai ishte ky një kontroll efikas?
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme zbuluan se Sky ECC për të cilin u bë edhe ky formular jo vetëm se kishte qenë i pranishëm në radhët e policisë por kishte vazhduar.
Së paku katër zyrtarë të lartë policie, rezultojnë se këtë formularë e kanë plotësuar me përgjigjen “JO” se kemi përdorur. Por në realitet e kanë përdorur dhe për këtë arsye u arrestuan dhe shpallën në kërkim.
Përkatësisht SPAK njoftoi më 2 Mars 2025 se katër efektiv policie ishin përgjegjës si pjesëtarë të një grupi kriminal të narkotrafikut.
Mes tyre Ervis Alisinanaj shefi i krimeve Lushnjë, Shkëlzen Ruska shefi i krimeve Himarë, Erdit Hazizaj efektiv policie deri në 2022 dhe Elvis Dervishi shefi i policisë kufitare Sarandë (në kërkim).
Ja se çfarë thotë SPAK për rolin e Policëve në këtë grup kriminal: “Punonjësit e policisë së shtetit duke shfrytëzuar pozicionin e tyre të atëhershëm si punonjës të policisë së shtetit, rezulton të kenë ndihmuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale në lidhje me kultivimin e bimëve narkotikëve, si dhe duke u siguruar anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal siguri në këtë veprimtari të kundraligjshme.”



