
Asfaltimi në të dy anët e rrugës historike Via Egnatia, në territorin e bashkisë Peqin, ka ngjallur debate dhe kritika të forta, sidomos nga ekspertë të trashëgimisë kulturore.
Studiuesi Auron Tare e ka cilësuar ndërhyrjen si "veshje me asfaltin e injorancës", duke akuzuar se është dëmtuar autenticiteti i një prej rrugëve më të rëndësishme historike në rajon.
Por zyrtarë vendorë kanë një qasje të ndryshme.
Genc Gripshi, specialist i Trashëgimisë Kulturore në Bashkinë e Peqinit, në një prononcim për edicionin informativ në MCN TV, deklaroi se asfaltimi është mënyra e vetme për të mbrojtur rrugën Egnatia, e cila për shkak të përdorimit nga automjetet, rrezikonte të dilte jashtë funksionit.
Asfaltimi është mënyra e vetme për ta mbrojtur rrugën Egnatia, përmes këtyre dy korsive.
Nëse nuk do të ishte bërë kjo ndërhyrje, rruga me kalldrëm, pra gjurmët origjinale të Egnatias, do të ishin shkatërruar brenda pak muajsh nga qarkullimi i automjeteve.
Gripshi thekson se ndërhyrja nuk ka cenuar gjurmët historike dhe është bërë në bashkëpunim me specialistë të fushës.
Nuk kemi prekur fare autenticitetin e monumentit. Kemi qëndruar tërësisht jashtë gjurmëve të rrugës antike. Ndodhemi pranë urës së vjetër, ku nuk është kryer asnjë ndërhyrje.
Jemi konsultuar me restauratorë dhe arkitektë të monumenteve historike para se të ndërhynim.”
Asfaltimi nuk është rast i izoluar në monumente të trashëgimisë kulturore, pasi edhe në vende të tjera rrugët kalojnë pranë monumenteve historike dhe janë përshtatur për funksion modern, pa prekur strukturat origjinale.



