
Kthimi nga pushimet verore nuk është gjithmonë i lehtë, sidomos kur ktheheni me disa kilogramë më shumë, pas ushqimeve të bollshme dhe pijeve alkoolike të shijuar gjatë verës.
Trajneri personal Remil Peqini dhe nutricionisti Pavli Brozi, të ftuar në programin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, ndajnë këshillat e tyre për mënyrën më të mirë për t’u rikthyer në formë, përmes ushqimit të shëndetshëm dhe aktivitetit fizik.
Remil Peqini:
Nuk është se nuk duhet të hamë fare, por duhet të dimë çfarë të zgjedhim.Ushqimet e detit janë shumë të mira sepse nuk përmbajnë toksina. Ndërkohë, fast food-i nuk është aspak një zgjedhje e shëndetshme.
Nëse ndiheni keq ditën e parë pas pushimeve, mund të bëni një ‘fasting’, një formë agjërimi.
Për shembull, konsumoni vetëm një vakt të lehtë dhe gjatë gjithë ditës pini ujë me xhinxher, kjo ndihmon në largimin e toksinave nga trupi. Pastaj mund të filloni aktivitetin fizik.
Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës. Më mirë të shmangni darkën sesa mëngjesin, edhe kur ndiqni një regjim. Vakti i mëngjesit nuk duhet të mungojë asnjëherë.
Pavli Brozi:
Ideja është që të ushqeheni shëndetshëm gjatë gjithë vitit, sepse shumë njerëz nuk i kushtojnë vëmendje ushqimit për periudha të gjata.Nëse je mësuar të ushqehesh mirë, trupi nuk e toleron lehtë një abuzim ushqimor, qoftë një picë apo një ushqim të përpunuar. Trupi reagon menjëherë dhe nuk ndihesh mirë.
Fasting-u i kontrolluar ka shumë përfitime. Unë jam pro kësaj metode, natyrisht, nëse trupi e kërkon dhe njeriu ka nevojë. Fasting-u ndihmon në eliminimin e qelizave të dëmtuara dhe aktivizon proceset rigjeneruese të trupit.
Gjithashtu, limoni është një ndër anti-inflamatorët dhe antioksidantët më të fuqishëm natyralë.
Ai ndihmon mëlçinë në vetëpastrimin e saj, sidomos pas konsumit të alkoolit.
Por nëse gjatë ditës vazhdon të hash ushqime jo të shëndetshme dhe pi vetëm një gotë ujë me limon në mëngjes, efekti i limonit është pothuajse i pavlefshëm.
Në fund, çdo aktivitet fizik ndihmon në djegien e kalorive dhe përshpejton rikthimin në formë. Gjithçka varet nga ju.



