
Prej ditës së sotme, çdo shtetas që hyn në Shqipëri nga pikat e kalimit kufitar duhet të plotësojnë 3 kushte reja të vendosura nga Komiteti i Ekspertëve.
Konkretisht të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë, të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve ose të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit.
Për këtë arsye, në Qafë Thanë ka pasur dhjetëra familje që janë kthyer pas. Një shtetas nga Tetova me profesion mjek, e cilëson bërjen e tamponit të fëmijët, si anormale.
Sipas tij, është krim t’i bësh fëmijës testin e shpejtë, pasi autoritetet shëndetësore në asnjë vend të rajonit nuk kanë masa të tilla.
Teksa tamponi në Maqedoninë e Veriut kushton 2 euro, në pikën kufitare të Qafë-Thanës, kompania private kërkon 25 euro.
Maqedonia e Veriut raporton për shifra të larta ditore të covid 19, ndërsa autoritetet shëndetësore bëjnë thirrje për vaksinim masiv.



