Para Ministrisë së Shëndetësisë, një grup qytetarësh kanë protestuar këtë të hënë për mungesën e barnave, shtretërve dhe pajisjeve mjekësore në spitalet publike, në veçanti në Spitalin Onkologjik, ku trajtohen pacientët e prekur nga kanceri.
Protesta është zhvilluar nën sloganin “Tetori i Zi”, në kontrast me fushatën ndërkombëtare të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, e cila zakonisht mbahet nën moton “Tetori Rozë”.
Gazetari Besmir Pula, që raportoi drejtpërdrejt nga protesta për “MCN Live”, tha se qytetarët ishin të shqetësuar jo vetëm për mungesën e ilaçeve, por edhe për mungesën e shtretërve dhe për degradimin e përgjithshëm të shërbimeve mjekësore.
Qytetarët po protestojnë sot për barnat, shtretërit dhe pajisjet që mungojnë në spitalet e vendit, veçmas ne Spitlain Onkologjik, për vajzat dhe gratë që provohen nga kurimi, për familjet që sakrifikojnë çdo gjë per tu kuruar jashtë vendit.
Ata kane zgjedhur mesazhe te forta në pankarta si “Ministria e Vdekjes”, “Tetori i Zi, jo Rozë”, “Nuk ka ilaçe, nuk ka jetë”, etj.
Një pjesë e protestuesve mbanin në duar tullumbace të zeza, si simbolikë e vdekjes, që përfaqëson mungesën e shpresës në sistemin shëndetësor.
Sipas qytetarëve protestues, nuk mund të flitet për ndërgjegjësim apo kurim të hershëm, kur në spitale mungojnë kushtet minimale për trajtim.
Të gjithë mund të preken nga sëmundje të rënda, por kur halli të vjen te dera, e kupton realitetin. Mungesa e barnave është vetëm maja e ajsbergut.
Më e keqja është që institucionet refuzojnë ta pranojnë problemin dhe nuk marrin asnjë përgjegjësi. Pa këtë, asgjë nuk mund të ndryshojë.
Kemi parë vetëm propagandë për shëndetësinë.
Është koha të shohim vepra dhe të merren masa të menjëhershme. Jeta e qytetarëve është në rrezik.
Jam sot këtu sepse sistemi shëndetësor është në kolaps. Mungojnë pajisjet, mungojnë barnat, mungojnë mjekët.
Kjo është pasojë e një keqqeverisjeje të gjatë. Në këtë vend vdes nëse nuk ke para për t’u kuruar.



