
Presidenca ka reaguar sërish në lidhje me padinë e Presidentit Ilir Meta ndaj kreut të KED Ardian Dvorani duke theksuar se marrje e këtij të fundit si të pandehur nuk bllokon punën në këtë institucion të rendësishëm për emërimet në institucionet e reja të drejtësisë.
Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, theksoi se KED mund të funksionojë normalisht edhe nëse Dvorani merret si i pandehur. “Nuk është përgjegjësia penale e Ardian Dvoranit, që mund të bllokojë funksionimin normal të KED, por u bllokua qëllimisht funksionimi i KED për dy vite radhazi, që në krye të këtij organi të vihej Ardian Dvorani, për të konsumuar të tilla shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore,” shkruan në rrjetin social “Facebook” zëdhënësi i Presidentit.
Reagimi i plotë:
I pyetur nga gazetarët në lidhje me pretendimin e Ardian Dvoranit se, nëse ai do të merrej i pandehur nga Prokuroria, atëherë kjo do të sillte bllokimin e funksionimit të KED-së, Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, zoti Tedi Blushi sqaroi se:
Kjo është një alibi e neveritshme për t’i shpëtuar drejtësisë për veprat penale që Ardian Dvorani ka konsumuar dhe për të cilat është kallëzuar penalisht në Prokurori.
Ligji nr. 115/2016, për funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e ka zgjidhur shumë mirë këtë situatë në nenin 227 të tij, ku parashikon se “Anëtari më i vjetër në moshë nga Gjykata Kushtetuese është Zëvendëskryetari i KED-së. Zëvendëskryetari ushtron të gjitha funksionet e Kryetarit në mungesë ose pamundësi të këtij të fundit”.
Nuk është përgjegjësia penale e Ardian Dvoranit, që mund të bllokojë funksionimin normal të KED, por u bllokua qëllimisht funksionimi i KED për dy vite radhazi, që në krye të këtij organi të vihej Ardian Dvorani, për të konsumuar të tilla shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore.
Edhe mbledhja e djeshme e KED-së, e zhvilluar duke njoftuar dy Rende Dite të ndryshme, një të njoftuar publikisht dhe një të ndryshëm të njoftuar anëtarëve dhe pjesëmarrësve në Këshill, është një tjetër e dhënë e papërgjeshmërisë së këtij individi , përkundrejt zbatimit të parimit të transoarencës së ushtrimit të detyrës ashtu siç kushtetuta dhe ligji ia kërkon.



