Ambientalisti Lavdosh Ferruni tha në edicionin e lajmeve në Mcn Tv se zgjerimi i Tiranës dhe shtimi i intensitetit të ndërtimeve ka ndotur edhe më shumë lumin e Lanës. Ferruni ngriti shqetësimin që në Lanë derdhen ujërat e zeza të këtij ndërtimi masiv që vjen duke u shtuar. Ai vë në dukje se nuk ka një lumë të ngjashëm në asnjë qytet europian.
“Lana është një lumë i vogël, edhe është fat që Tirana e ka, por është fatkeqësi që në këtë lumë të vogël, kemi një lumë tejet të ndotur. Është e papranueshme që në këtë qytetet, që po merr ca dimensione të një qyteti europian, të ketë në mes një lumë të ndotur. Një Tiranë e madhe po e bën edhe më të ndotur akoma. Duhet të kthehet në një lumë me ujë të pastër. Kam bredhur në mbi 20 qytete të Europës, dhe s’kam parë një lumë të tillë, në këto përmasa të ndotjes. Me këtë ujë në zona të caktuara edhe vaditet, ka shumë probleme. Është kontrast i jashtëzakonshëm. Gjithë këto investime gjigante dhe gjenerohet një ndotje masive në mes të kryeqytetit. Ky është një paradoks që të bën të thellohesh. Tirana po asfikson jo vetëm lumin, por edhe jetën. Densiteti i popullsisë në Tiranë është më i madhi ndër kryeqytetet europiane, dhe vazhdojmë ndërtojmë. Vëmendja është në drejtim të propagandës, promovim. Është një korridor që e oksigjenon qytetin dhe ndodh e kundërta me emetimet nga ujërat e këtij lumi. Në Lanë derdhen ujërat e zeza të këtij ndërtimi masiv që vjen duke u shtuar”.
Duke u ndalur te mirëmbajtja, Ferruni thotë se KLSH ka evidentuar abuzime me paratë në këtë çështje.
“Ndërprerja e kontratës është bërë për të moszgjidhur problemin. Duhet shkuar edhe më tej në kontrollin që ka bërë KLSH. Nuk mund t’i penalizosh qytetarët duke ndërprerë një kontratë, dhe duke mos e vënë në funksion këtë nga 2018-ta. Tani mendohet prapë që do merren konsulentë, ndërkohë që impianti është gati”.



