Kreu i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, thotë se partia e tij nuk mund të shkojë në zgjedhje me sistemin aktual zgjedhor. Gjatë një takimi me mbështetësit e Pogradecit, Kokëdhima theksoi se “Zgjidhja” nuk futet në zgjedhje pa opozitën.
“ZGJIDHJA nuk do futet kurrë në zgjedhje jo gjithëpërfshirëse. “Zgjidhja” nuk do futet kurrë në zgjedhje pa opozitën. “Zgjidhja” nuk do të legjitimojë kurrë zgjedhje që përçajnë popullin tonë. “Zgjidhja” do udhëheqë luftën për zgjedhje të lira e të ndershme. Ne nuk do të futemi në zgjedhje që i administrojnë partitë e mëdha. Ne nuk do të pranojmë kurrë të futemi në zgjedhje me këtë sistem. Ne nuk do t’ia besojmë kurrë numërimin dhe administrimin e votave tona Rilindjes dhe PD-së!”- u shpreh Kokëdhima përpara të pranishmëve.
Duke komentuar anulimin e zgjedhjeve të parashikuar në Kavajë të dielën, Kokëdhima tha se ai e kishte paralajmëruar këtë. Ai u shpreh se nuk përbën ndonjë problem shtyrja e zgjedhjeve parlamentare për në vjeshtë.
“Dje ranë zgjedhjet në Kavajë. Unë e kisha paralajmëruar këtë gjë. Disa herë kam deklaruar se zgjedhjet e 7 majit, dhe bashkë me to edhe zgjedhjet e 18 qershorit, janë hedhur në erë. Nëse zgjedhjet e 18 qershorit do të imagjinoheshin pa opozitën, qeveritarët e Tiranës duhet ta dinë se vendi do të destabilizohet dhe do kthehet në kohën kur bandat do dilnin rrugëve. Të gjitha projeksionet ekonomike për 2017 dhe për vitet që vijnë do të përmbysen. Nga një situatë e tillë do të përfitonin ata që duan destabilizimin e Shqipërisë, armiqtë e saj dhe bota e krimit dhe kriminelëve të të gjitha llojeve. Ne e kishim thënë me kohë se zgjedhjet në 7 maj ashtu si ato të 18 qershorit nuk mund të bëhen. Lidershipi i qeverisë deklaronte me kokëfortësi se zgjedhjet do të bëhen në 7 maj. Rama është përpjekur të fshehë e të mohojë të vërtetën e krizës së thellë dhe të shumëfishtë që ka përfshirë vendin tonë. Ai u përpoq të manipulojë opinionin e brendshëm dhe t’u hedhë hi syve partnerëve ndërkombëtarë vetëm e vetëm për të mos bërë reformën zgjedhore, liberalizimin e tregut elektoral dhe pastrimin përfundimtar të zgjedhjeve, vetëm e vetëm për të mbajtur në këmbë zgjedhjet e manipuluara dhe pa standard”, tha ai.



