Partia Demokratike ka denoncuar faktin se në një kohë që vendi ndodhet në emergjencë për shkak të krizës nga koronavirusi, ditën e djeshme janë hapur 4 tendera me vlerë 7 milionë euro për projekte që tani nuk janë prioritet.
Ish-deputeti i PD-së Enkelejd Alibeaj deklaroi sot se “ndërsa shqiptarët janë vendosur në karantinë për t’i bërë ballë COVID-19, kur bizneset kanë mbyllur dyert dhe po luftojnë një luftë ndaj koronavirusit, Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë vazhduar të tenderojnë projektet për betonimin e Tiranës. Pjesa e Parkut të Liqenit, ku aktualisht ndodhet godina e Gardës së Shqipërisë, është shpallur si i hapur në garën e Bashkisë të publikuar këto ditë karantinimi”.
Në një deklaratë për mediet, Alibeaj tha se “dje janë hapur 4 tendera me vlerë 7 milionë euro për projekte që tani nuk janë prioritet. Qeveria ka planifikuar që 7 milionë euro të shkojnë për rikualifikime urbane në vend që të shkojnë për të ruajtur mijëra vende pune nga mbyllja e detyruar e bizneseve”.
“Me zgjerimin e hartës së pandemisë në Shqipëri, me rritjen e numrit të të prekurve nga COVID 19 dhe me rritjen e numrit të viktimave, qeveria duhet të kish hequr dorë nga vendimet që pasurojnë një grusht njerëzish në kurriz të shëndetit të shqiptarëve. Shqipëria nuk e ka luksin të paguajë 7 milionë euro me një dorë, për të hedhur beton nëpër qytete”, tha ai.
Po ashtu, Alibeaj thekson se “Partia Demokratike i kërkon qeverisë të anulojë menjëherë procedurat për tenderimin e këtyre 7 milionë eurove dhe të çdo projekti tjetër, që nuk bën pjesë në 3 prioritetet e shqiptarëve: shëndetësinë, ndihmën për familjet në nevojë, pagesat për punonjësit e bizneseve të mbyllura”.



