
PD e drejtuar nga Berisha kërkon konsensus të gjerë politik për reformën e re territoriale. Demokratët e Rithemelimit thonë se do të kërkojnë shtimin e bashkive. Në studion e lajmeve të MCN TV, Ivi Kaso, sekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD, tha se pavarësisht mospërfshirjes në komisionin e posaçëm, kanë ngritur një grup pune, që pritet të finalizohet me një plan në fund të muajit gusht. Kaso tha se reforma territoriale e miratuar në vitin 2014 ka dështuar.
Për shkak të mospërfshirjes të linjës zyrtare të PD në komisionin e posaçëm, PD ka ngritur grupet e punës për të unifikuar qëndrimin lidhur me ndarjen e ardhshme territoriale. Sot ishte vetëm qëndrimi i parë publik për implikimet që ka reforma administrative dhe lidhjet me të tjerat, sidomos atë zgjedhore.
Reforma që u shit si sukses i madh i 2014 ka dështuar. Presupozohej reduktimi i njësive vendore, por ndodhi e kundërta. Administrata u fry dhe u mbush me militantë dhe shpenzimet e qeverisjes vendore u rritën.
Ky i sotmi është vetëm hapi i parë, shprehëm qëndrimin tonë dhe njoftuam që ka një grup pune që po punon. Ky nuk është një terren i parrahur. Ka një sërë dokumentesh dhe studimesh, kemi në plan një sërë tryezash me ekspertë, qytetarë dhe zyrtarë të pushtetit vendor. Do ta formalizojmë ndoshta nga fundi i gushtit.
PS u ka kthyer të gjitha njësitë e pushtetit vendor në sportele të qeverisë. Janë kthyer në zyra punësimi dhe monitorimi të popullsisë për qëllime elektorale.
Balla dënglat me non grata t’i mbajë për vete. I ka në krah, ha, pi dhe rri me ta.
Reforma ka dështuar sepse nuk u vunë të parët interesat e qytetarëve, por u vunë interesat elektorale.
Ndërsa në lidhje me idenë e hedhur nga deputeti Lefter Gështenja për bashkëdrejtimin e PD-së, Kaso tha se statuti nuk parashikon asgjë të tillë.
Nuk arrij të kuptoj bashkëdrejtimin e PD. PD ka hyrë në një proces riorganizimi, në mënyrë legjitime ka zgjedhur të gjitha organet dhe prej më shumë se një muaji funksionon normalisht që nga baza deri në majë të piramidës.
Këtë konceptin e bashkëdrejtimit nuk arrij ta kuptoj dhe as s’e gjej në statutin e PD. Nëse nënkuptohet bashkëpunim, duhet që ata të njohin Partinë Demokratike të rithemeluar, të cilën e panë shqiptarët në zgjedhjet e pjesshme lokale dhe në protestën e 7 korrikut.



