Për breza të tërë zyrtarësh të Bashkimit Evropian, arsimi me cilësi të lartë dhe falas, i ofruar për fëmijët e tyre në Bruksel, ka qenë një nga përfitimet më tërheqëse të punës.
Tani, një riorganizim i madh që po bëhet këtë javë po shkakton alarm për mijëra familje të stafit të BE-së. Tanimë fëmijët mund të detyrohen të udhëtojnë disa kilometra larg drejt një kampusi të ri, në një pjesë më pak të dëshirueshme të qytetit.
"Kjo do të prishë jetën e njerëzve," tha një prind që punon në institucionet evropiane. "Ajo anë e qytetit është shumë larg nga gjithçka."
Problemi për prindërit e tjerë nuk është vetëm distanca nga shkolla e re e propozuar, e cila do të hapet në vitin 2028. Lagjja Neder-Over-Heembeek, në Veri të qytetit, është më e varfër dhe më e përzier. Kujtojmë që shumica e eurokratëve jetojnë në zonat e pasura në Jug të Brukselit.
Disa prindër e kanë cilësuar tashmë rrethin "93", një referencë për periferinë famëkeqe të Parisit të njohur për krimin e lartë, papunësinë dhe ndërtesat të rrënuara.
Në terma afatgjatë, minimi i reputacionit të shkëlqyer të shkollave mund ta bëjë më të vështirë për institucionet e BE-së rekrutimin e kandidatëve të mirë nga 27 vendet anëtare të bllokut. Sipas një zëdhënësi të Komisionit Evropian, rrjeti i shkollave të BE-së në qytet është një "element kyç i atraktivitetit" të punës në Bruksel dhe një "domosdoshmëri që Komisioni të sigurojë stafin më të mirë".
Shkollat evropiane fillimisht u themeluan për t'u siguruar fëmijëve të zyrtarëve të BE-së të dërguar jashtë vendit të njëjtin arsim që do të merrnin në vendet e tyre. Në muret e shkollave është gdhendur një vizion edukimi në të cilin nxënësit mësojnë "krah për krah, të patrazuar që në foshnjëri nga paragjykimet përçarëse". Atje, ata do të rriten për t'u bërë "evropianë në mendje", në idealet e deklaratës së misionit të edukatorëve.
Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen është mes atyre që u arsimuan në këto shkolla. Aktualisht ka katër shkolla evropiane ku numri i nxënësve është rritur me gati 400 nxënës në vit, duke shkuar në total në 14,500.



