Një ngjarje e rëndë është regjistruar në burgun e sigurisë së lartë të Koridhalos në Greqi, ku një i burgosur me origjinë shqiptare është vrarë me thikë brenda ambienteve të burgimit. Viktima dyshohet të jetë Jani Aliaj, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare.
Mediat greke raportojnë se autori i dyshuar është një i burgosur grek, gjithashtu i dënuar për vrasje. Aliaj ka humbur jetën si pasojë e plagëve të shkaktuara nga një mjet i mprehtë i improvizuar.
49-vjeçari nga Tepelena ndodhej i arrestuar në Greqi në pritje të ekstradimit për në Shqipëri. Ai prej 10 vitesh ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare për vrasjen e Elton Çiços. Vrasje e ndodhur më 1 maj 2016 në një nga lokalet e ish-Bllokut, një nga zonat më të populluara të kryeqytetit.
Jani Aliaj hyri brenda një lokali pranë stadiumit "Selmamn Stermasi" në Tiranë, i maskuar me paruke kur qëlloi Elton Çiçon. Pas krimit, Jani Aliaj arriti të largohet dhe u shpall në kërkim me akuzën e vrasjes për hakmarrje.
Në maj 2018, Gjykata e Tiranës dënoi Jani Aliaj në mungesë me burgim të përjetshëm si autor i vrasjes së Çiços. Aliaj u arrestua nga autoritetet greke në janar 2025 dhe ishte në pritje të procedurave të ekstradimit drejt vendit tonë.



