Ethem Aga, kandidati për deputet i PD në listën e hapur të kryqytetit, rrëfeu në emisionin “Zonë e Lirë” përse vendosi të lërë Parisin për t’u kthyer në Tiranë.

“Unë angazhohem për dy arsye, e para është personale, ka lidhje me jetën time familjare. Jam njeri i kompletuar në Francë. Ne jemi tradicionalisht njerëz të djathtë. U largova në 90-ën jo pse kisha uri, por sepse mungonte liria.
Kam jetuar me djersën e ballit në Francë. Kam punuar shumë për t’ia arritur. Jeta ime familjare, që kanë qenë njerëz të djathtë, dhe të vuajtur, kjo më shtyn të angazhohem në politikë. Adoleshent e kisha ëndërr të largohesha nga Shqipëria.
U betova që do largohesha nga Shqipëria, dhe që familja ime do ngrihej nga hiri, do bëhej një familje e respektuar. Mendoj që një pjesë të mirë e kam arritur”.
Aga tregoi se fillimisht filloi punë si punëtor i thjeshtë, mandej u bë profesor në Kolegjin e Europës, dhe me vonë kaloi nga sistemi arsimor në botën e biznesit.
Aga shprehu bindjen se në zgjedhjet e 11 majit, ndryshimin do ta bëjë diaspora. Sipas Agës ka një aromë ndryshimi, ku njerëzit kanë nevojë për rotacion.
“35 vjet në Francë. Kam ikur kur regjimi komunist ishte akoma këtu, me ambasada. Kam ikur më korrik 1990. Fillimisht u futa në ambasadën italiane, kisha harruar diplomën e Agronomisë, kur u ktheva ishte mbyllur ambasada italiane. Isha atlet me Tiranën, 17 nëntorin.
Jam drejtues politik në dy degët e PD, degën 12 dhe 15. Dega 12 është Farka, Petrela, Bërzhida, Baldushku, dhe tjetra Vaqarri, Ndroqi. Ky është angazhimi im për herë të dytë, por këtë herë është më mirë se të parën.
Fushata është më e karikuar, njerëzit janë më të mërzitur me regjimin e Ramës. Ndihet një aromë ndryshimi, njerëzit kanë nevojë për rotacion. Diaspora që ka filluar të votojë do ta bëjë ndryshimin. Kam bindje që diaspora do bëjë ndryshimin, sepse janë njerëz të lirë”.



