Debati për raportin e IBAR ka sjellë përplasje të forta mes opozitës dhe mazhorancës në Kuvend, ku deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, akuzoi ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, për shpërndarje të një lajmi të pavërtetë lidhur me ecurinë e raportit të IBAR.
Gjatë fjalës së saj në Parlament, Vokshi deklaroi se ministri Gogu ka mashtruar publikun duke njoftuar se raporti i IBAR ishte miratuar dhe kishte kaluar në Këshillin e Ambasadorëve, ndërkohë që sipas saj procesi ende nuk ka përfunduar.
Dy ditë më parë, ende pa u shpërndarë mbledhja, ministri Toni Gogu doli në konferencë dhe dha lajmin që IBAR ishte miratuar dhe i kishte kaluar Këshillit të Ambasadorëve.
Si mundet, me çfarë pafytyrësie apo paaftësie, një ministër të japë një lajm që nuk është i vërtetë dhe të mashtrojë publikun? Të paktën tre vende anëtare nga 27 kanë pasur probleme me grup-kapitullin e parë.
Ndaj ministri Gogu, që shpërndan lajme të pavërteta, duhet të dalë të kërkojë falje.
Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, reagoi ndaj akuzave të opozitës duke mbrojtur punën e institucioneve shqiptare në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
Ai theksoi se rezultatet konkrete janë dorëzuar dhe po shqyrtohen nga strukturat përkatëse në Bruksel.
Sipas Gogut, procesi i negociatave është dinamik dhe nuk ka ngecur, ndërsa akuzoi opozitën për qëndrim negativ ndaj progresit të Shqipërisë.
Janë dorëzuar ato rezultate faktike që janë duke u shqyrtuar nga grupi i punës. Negociata është dinamike, lëviz dhe nuk ngec.
Ndërsa kolegët e Ministrisë së Drejtësisë punonin që shteti të progresonte dhe çonin 8 mijë faqe dokumente, ju keni kontribuar me 8 mijë akuza për ngecjen e progresit.
Jeni të vetmit që nuk pasqyroni progresin e Shqipërisë. Kjo ka të bëjë me smirën që ju keni që të mos përparojë Shqipëria.
Përplasja me deklarata vjen në një moment të rëndësishëm për procesin integrues të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ku raporti i IBAR konsiderohet një element kyç për avancimin e negociatave.



