Deputeti socialist Xhemal Qefalia shprehet i gatshëm për të qenë në garën për deputet si pjesë e listave të hapura. Duke folur në MCN Live në lidhje me votën e diasporës, ai thotë se i druhet neglizhencës për të marrë pjesë në votim. Qefalia tha se këmbëngulja për këtë Kod Zgjedhor ka qenë nga ana e opozitës.
“E veçanta e kësaj gare elektorale është që për herë të parë do votojë edhe diaspora. PS, strukturat e emigrantëve, i ka pasur të organizuara. Ato bëjnë pjesë në organet drejtuese të PS. Janë struktura që kanë funksionuar. Kuptohet që tashmë marrin një dimension, një rol të ri, pasi do përkthehet edhe me vota në Kuvend. Është parë e arsyeshme që të ketë një riorganizim kapilar, që do jetë funksional, jo vetëm për çështjen e zgjedhjeve, por pse jo për t’i ftuar ato që kanë mundësi për t’u rikthyer në Shqipëri dhe për të investuar këtu. Është caktuar z.Balla një funksionar i lartë që vazhdimisht ka drejtuar qarqe të ndryshme. Do jetë z.Balla në krye të këtij ekipi për ta menaxhuar. Do ngrihen struktura të posaçme. I druhem më shumë neglizhencës për të marrë pjesë në votim”.
I pyetur nëse do të jetë deputet, Qefalia tha: “Nëse PS vendos që unë do jem pjesë e listave, do kisha shumë dëshirë që në ulëse të isha me votat e qytetarëve shqiptarë. Do doja që secili deputet të ishte në garë. Nëse një deputet mendon se votohet nga elektorati, ka të drejtë të dalë si deputet dhe të masë veten e tij. Nuk ka ndonjë divergjencë mes pjesës që vjen rishtaz dhe asaj që ka disa mandate”.
I pyetur nëse ka një anashkalim të Erion Veliajt në Tiranë, dhe a është kryebashkiaku nr.1 në fushatën e kryeqytetit, Qefalia tha:
“Tirana për vet numrin e madh të popullsisë, ku do shtohet edhe numri i mandateve nga 36 në 37, kërkon një vëmendje më të përqendruar. Nuk ka një anashkalim të Veliajt, përkundrazi ka një mënyrë organizimi që të sjellë një produkt më pozitiv. Janë 1/3 e Kuvendit që prodhohet nga puna në Tiranë. Vëmendja kërkohet të jetë shumë e madhe. Shtesa këtu është z.Manstirliu”.
Qefalia tha që Edi Rama nuk është një lider konservator, por liberal, duke sjellë në vëmendje që ai ka emëruar edhe figura të djathta në poste të rëndësishme.



