Specialistë të policisë së Irlandës po hetojnë pjesëtarët e një grupi shqiptarësh, pas kapjes ditët e fundit të një sasie kanabisi me vlerë 1 milion euro. Një hetim special ka zbuluar se gangsterët shqiptarë i pastrojnë paratë e drogës në lavazhet e Dublinit.
Mediat vendase shkruajnë se pak ditë më parë, në Westbrook Park, në veri të Dublinit, policia zbuloi një sasi kanabisi me vlerë 360 000 euro, ndërsa sasi tjetër e madhe është gjetur në dy operacione të mëparshme.
Hetimi drejtohet nga Zyra e Krimit të Organizuar dhe Antidroga e Gardës.
Sipas hetimeve, personat e përfshirë në këtë rrjet e shesin kanabisin për një çmim rreth 3000-5000 euro më pak.
“Ata pretendojnë se janë italianë”, ka thënë një burim pranë hetimeve.
I njëjti burim thotë se grupet i pastrojnë paratë e drogës në lavazhe. Droga mbërrin në Irlandë nga Shqipëria, e paketuar në qese me vakum. Çmimi i ulët me të cilin ofrohet në tregun irlandez marijuana shqiptare ka shtuar tensionet mes bandave, saqë grupet kriminale irlandeze po e shohin veten në prag të daljes nga ky “biznes”.
Madje, disa prej tyre po i ofrojnë informacion policisë irlandeze për rivalët, me qëllim nxjerrjen e tyre jashtë tregut.
“Mafia shqiptare është një prej organizatave kriminale më të frikshmë në Europë. Shumë prej “ushtarëve” të saj janë tepër profesionalë, madje vijnë nga radhët e ushtrisë shqiptare, kosovare dhe ruse.
Disa prej tyre kanë kontakte me ish-policë në Shqipëri dhe kanë mësuar teknikat e hetimit që ndjek policia në raste të tilla. Vitin e kaluar, gangsterët shqiptarë u përfshinë në trafiqe të paligjshme pijesh, por edhe njerëzish”, thuhet në një shkrim të publikuar dje nga Sundayworld.com. / G.S. /



